“Ai nuk më kërcënoi”, Stormy Daniels konfirmon marrëdhënien me Donald Trump

Nga Erjon Dervishi
10 Maj 2024, 11:02 | Bota

Stormy Daniels, dëshmitarja kyçe që mund të shkatërrojë karrierën politike të Donald Trump, u përball me pyetje intimiduese të avokatëve mbrojtës të ish-Presidentit. Sipas avokatëve mbrojtës, Daniels është kontradiktore dhe ka qëllim përfitimin financiar.

“Ti ke shumë eksperienca për sa i përket krijimit të historive rozë dhe me sa duket ato po merren si të mirëqena”, tha Susan Necheles, avokate e Donald Trump.

Daniels iu përgjigj pas një pauze të shkurtër: “Nuk do ta përkufizoja kështu. Marrëdhëniet e shfaqura në atë libër janë shumë reale. Njësoj siç më ndodhi mua në atë dhomë”.

Avokatja e pyeti përsëri nëse ajo e ka krijuar nga hiçi këtë histori, e cila prek drejtpërdrejt Donald Trump.

“Nëse kjo histori ka të pavërteta, unë do ta kisha shkruar atë për të qenë akoma më mirë”, tha Stormy Daniels, dëshmitare në gjyqin ndaj Donald Trump.

Trupi gjykues mori në shqyrtim dëshminë e parë të Daniels, ku theksonte se u ndje e pafuqishme në dhomën e hotelit të Trump. Gruaja tregoi se çfarë kishte ndodhur realisht dhe nuk mund ta akuzonte Trump si dhunues. Kjo, sipas avokatëve mbrojtës, e bën tërë historinë e ngritur nga Stormy Daniels si të stisur.

“Pasiguritë e mia më bënë të ndihesha në atë mënyrë. Ai nuk më dha asnjëherë drogë apo alkool, as nuk më drejtoi ndonjë armë apo të më kërcënonte”, deklaroi Stormy Daniels.

Donald Trump, kandidati republikan që sfidon Presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, e ka quajtur gjyqin një përpjekje të motivuar politikisht për të minuar fushatën e tij.

“E patë se çfarë ndodhi sot. Nuk mendoj se duhet të bëjmë ndonjë shpjegim, nuk më lejohet gjithsesi, sepse ky gjyqtar është i korruptuar. Ai është një gjykatës i korruptuar dhe unë duhet të kthehem në rrugën e fushatës”, u shpreh Donald Trump, ish-President i SHBA-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos