Izraeli do të luftojë i vetëm dhe me thonj, nëse do të jetë e nevojshme. Janë fjalët e kryeministrit Benjamin Netanjahu, pasi SHBA-ja paralajmëroi se mund të pezullojë furnizimet me armë, nëse Izraeli nis një ofensivë të shkallës së gjerë në Rafah të Gazës. Biden tha se do të privonte Tel Avivin nga disa armatime, përfshirë predha artilerie nëse Rafahu pushtohej.
Më herët, Uashingtoni pezulloi edhe dërgesat e bombave me frikën se do të shënjestroheshin civilët. Netanjahu iu referua luftës së vitit 1948, për t’iu përgjigjur paralajmërimeve të aleatit të vet më të ngushtë, SHBA-së.
“Në ditën e pavarësisë, 76 vite më parë, ne ishim pakica kundër shumicës. Ne nuk kishim armë. Ndaj Izraelit ishte në fuqi një embargo armësh, por me fuqi të madhe shpirtërore, heroizëm dhe unitet mes nesh, dolëm triumfues. Sot jemi shumë më të fortë, dhe nëse do të mbetemi vetëm, do të luftojmë vetëm. Do ta bëjmë edhe me thonj”.
Sakaq, Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se si armiqtë e izraelit, ashtu edhe miqtë e ngushtë duhet të kuptojnë se vendi i tij nuk mund të nënshtrohej.
“Ne do të qëndrojmë të fortë dhe do i arrijmë qëllimet tona”, pohoi ai.
Deklaratat erdhën disa orë pasi OKB-ja bëri të ditur se mbi 80 mijë njerëz ishin larguar nga Rafahu që prej së hënës mes frikës së vazhdueshme të bombardimeve dhe teksa tanket izraelite afrohen pranë zonave të banimit. OKB-ja paralajmëroi se ushqimi dhe karburanti po shkonin drejt fundit për mbi 1 milion njerëzit e strehuar atje, pasi ndihmat nuk po kalonin dot te pikat e afërta kufitare.
Forcat izraelite po zhvillojnë atë që e kanë cilësuar si ofensivë të kufizuar në Rafah, kundër elementeve të Hamasit. Por Netanjahu nuk ka përjashtuar mundësinë e një pushtimi të plotë. (A2 Televizion)