Ajatollahu i Madh i myslimanëve shiitë: Nëse e vrisni Khamenein, do të nisë kaosi total

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 13:46 | Bota

Ajatollahu i Madh i myslimanëve shiitë: Nëse e vrisni Khamenein,

Konflikti midis Izraelit dhe Iranit vazhdon për të shtatën ditë me radhë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e hyrjes së SHBA-së në konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa të dyja palët, Irani dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ajrore me raketa dhe dronë.

Ajatollah Ali Khamenei thotë se Teherani nuk do të dorëzohet dhe paralajmëron se çdo ndërhyrje nga Uashingtoni do të rezultonte në "dëme të pariparueshme", ndërkohë që për situatën ka reaguar edhe Ajatollahu i Madh i Irakut, Ali Sistani.

Duke u ndalur tek kërcënimet e Trump për të vrarë Khamenein, Ali Sistani, udhëheqësi kryesor fetar i myslimanëve shiitë në Irak dhe në mbarë botën, paralajmëroi se një sulm ndaj udhëheqjes shtetërore të Iranit, përfshirë Liderin Suprem të tyre, mund të bëjë që konflikti aktual ta zhytë të gjithë rajonin në kaos.

AFP citoi një deklaratë nga Sistani, i cili është shtetas iranian, duke thënë se vendimi për të synuar "udhëheqjen supreme fetare dhe politike" të Teheranit do të kishte "pasoja të rënda për rajonin".

Sistani paralajmëroi se kjo mund të shkaktojë "kaos në shkallë të gjerë që do të përkeqësonte vuajtjet e njerëzve dhe do të dëmtonte seriozisht interesat e të gjithëve".

Ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të "bëjë çdo përpjekje për t'i dhënë fund kësaj lufte të padrejtë dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore" për programin bërthamor të Iranit.

Ndërkohë, gazeta britanike Guardian raporton se Sistani ka fuqinë për të mobilizuar një pjesë të madhe të besimtarëve shiitë në Irak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos