Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se përpjekja e NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtje nuk është “kërcënim” për Rusinë.
Kjo deklaratë, e bërë gjatë një konference për media në orët e vona të 18 qershorit, vjen disa ditë para se aleanca të nënshkruajë një plan për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake në mbarë Evropën.
Udhëheqësi rus tha po ashtu se trupat e tij nuk do të ndalojnë avancimin në Ukrainë, teksa tentoi të minonte autoritetin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Aleanca ushtarake perëndimore do të mbajë një samit të rëndësishëm në Hagë javën e ardhshme, ku shtetet anëtare të NATO-s do të diskutojnë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht kërkon që anëtarët e aleancës të rrisin shpenzimet.
Putin e ka paraqitur ofensivën e tij në Ukrainë – që e nisi në shkurt të vitit 2022 – si pjesë e një konflikti më të gjerë mes Rusisë dhe NATO-s, e cila e ka mbështetur Kievin që nga nisja e luftës.
“Ne nuk e konsiderojmë asnjë riarmatosje nga NATO-ja si kërcënim ndaj Federatës Ruse, sepse ne mund ta garantojmë vetë sigurinë tonë”, tha Putin gjatë konferencës për media në Shën Petersburg.
Rusia “po modernizon vazhdimisht forcat e armatosura dhe kapacitetet mbrojtëse”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë kuptim që NATO-ja të shpenzojë më shumë para për armë”.
Megjithatë, ai e pranoi se nëse shtetet e NATO-s do të shpenzonin më shumë, kjo do të krijonte disa sfida “të veçanta” për Rusinë.
“Ne do t’i përgjigjemi të gjitha kërcënimeve që do të paraqiten”, shtoi Putin.
Kievi po kërkon garanci të sigurisë nga NATO-ja si pjesë e çdo marrëveshjeje që do të ndalonte luftimet.
Moska ka shfaqur pak vullnet për të ndalur luftimet, dhe Putin tha se Rusia ka “avantazh strategjik” në fushëbetejë.
“Trupat tanë po avancojnë në mbarë vijën e kontaktit. Çdo ditë, pak a shumë, por çdo ditë ata po avancojnë dhe do të vazhdojnë të avancojnë”, tha Putin.
Putin po ashtu tentoi të justifikojë luftën kundër Ukrainës, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyt, teksa mohoi se shteti i tij shënjestron civilët përmes sulmeve të përditshme ajrore.
Ai tha se është i gatshëm të takohet me homologun e tij ukrainas, por vetëm “në fazën finale” të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar.
Putin po ashtu sugjeroi se Zelensky nuk ka të drejtë të nënshkruajë ndonjë marrëveshje paqeje, pasi tha se i ka skaduar mandati pesëvjeçar si president. Edhe më herët, Putin kishte folur rreth mandatit të Zelenskyt, por Kievi i ka cilësuar këto deklarata si propagandë./REL (A2 Televizion)