Ushtria polake njoftoi se ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore të vendit gjatë një vale sulmesh ndaj Ukrainës perëndimore, duke e cilësuar incidentin si “akt agresioni”.
Forcat polake ngritën në ajër avionë të NATO-s dhe vendosën mbrojtjen ajrore në gatishmëri të lartë, ndërsa Aeroporti Chopin i Varshavës u mbyll përkohësisht. Banorëve në Podlaskie, Mazovia dhe Lublin iu kërkua të qëndrojnë brenda, ndërsa operacionet për gjetjen e dronëve të rrëzuar po vijojnë.
"Pas sulmit të sotëm nga Federata Ruse në territorin ukrainas, ka ndodhur një shkelje e paprecedentë e hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë. Ky është një akt agresioni që ka paraqitur një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë. Sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit me radar kanë arritur gatishmëri të lartë" dhe një operacion për të lokalizuar dhe neutralizuar dronët është duke u zhvilluar. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të provincave Podlaskie, Mazovia dhe Lublin të qëndrojnë brenda", theksoi komanda operative e ushtrisë polake në një mesazh në X.
Kryeministri Donald Tusk tha se ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se Polonia është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët.
“E kam informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi situatën aktuale dhe veprimet e ndërmarra kundër objektivave që shkelën hapësirën tonë ajrore”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, në X, “Jemi në kontakt të vazhdueshëm”, shtoi Tusk.
“Një operacion është duke u zhvilluar në lidhje me shkelje të shumta të hapësirës ajrore nga Rusia dhe ushtria ka përdorur armë kundër objektivave” të identifikuara si dronë, tha kryeministri polak Donald Tusk në X. (A2 Televizion)