Me gjithë reagimet e forta gjatë muajit gusht të organizatave dhe komunitetit të gazetarëve në vend kundër një rregulloreje të brendshme të Gjykatës së Posaçme për rendin, sigurinë dhe solemnitetin më 1 shtator Gjykata e Posaçme nisi zbatimin e saj.
Në dispozitat e saj rregullorja i pengon gazetarët të mbajnë telefon celular në sallë, për të dërguar apo marrë sms, duke pamundësuar raportimin në kohë reale të ngjarjeve në gjykatë. Ndryshe nga përcaktimi në Kushtetutë dhe Kodin Penal për gjyqe publike, përveç rasteve kur ligji e përcakton ndryshe, rregullorja detyron gazetarët të bëjnë një kërkesë me shkrim 24 orë më parë për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore.
Sipas rregullores, kryesuesi i seancës përcakton numrin e vendeve të gazetarëve në sallë. Në rast se numri i vendeve është më i vogël se ai i gazetarëve që kanë shprehur interes, rregullorja ka parashikuar një rrotacion, ku gazetarët që nuk ndoqën seancën e kërkuar, do të jenë të parët në një seancë tjetër, duke i dhënë kështu rol aktiv gjykatës në përcaktimin e seancave që mund të ndjekë një gazetar i caktuar. E gjithë kjo, vetëm për praninë fizike të reporterëve në sallat e gjyqit dhe ju për kamerat, apo mundësinë për të regjistruar pamje filmike.
Gjatë së hënës, GJKKO shpërndau formularët e akreditimit, ku veç një liste dokumentesh, kërkohej edhe adresa e banimit të gazetarëve. Mes deklaratave publike organizatat e gazetarëve shprehën keqardhje për vënien në zbatim të rregullores dhe paralajmëruan kundërshtimin e saj në rrugë gjyqësore. Situata ka ngjallur shqetësim edhe tek avokatët, të cilët rregullorja nuk jua lejon mbajtjen e telefonëve celularë në sallat e gjyqit.
Kreu i avokatëve njoftoi depozitimin e një kërkese për rishikimin e rregullores, ndërsa paralajmëroi se pas takimeve me organizmat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në rast mos reflektimi nga gjykata, një mundësi mbetet edhe bojkotimi i seancave gjyqësore.
Rregullorja e brendshme e Gjykatës së Posaçme cenon në thelb punën e gazetarëve, vështirëson raportimet mbi çështjet gjyqësore dhe patjetër dëmton transparencën dhe cenon besimin e publikut në Gjykatën e Posaçme. (A2 Televizion)