
Një fenomen i fuqishëm El Nino po zhvillohet në Oqeanin Paqësor dhe mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, paralajmëron Met Office britanik. Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i tij, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, mund ta bëjë vitin 2027 vitin më të nxehtë të regjistruar në botë.
El Nino është një fenomen natyror klimatik që shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit. Ai ndodh kur erërat tregtare mbi Paqësor dobësohen ose ndryshojnë drejtim, duke lejuar që ujërat e ngrohta të zhvendosen drejt lindjes.
Sipas matjeve të fundit, temperaturat e sipërfaqes së detit në një zonë kyçe të Paqësorit janë tashmë më shumë se 2 gradë Celsius mbi mesataren, ndërsa parashikimet sugjerojnë se mund të kalojnë 3 gradë gjatë muajve në vijim.
Kjo do ta bënte ngjarjen më të fortën në të dhënat që datojnë që nga viti 1950 dhe, sipas Met Office, potencialisht më të fuqishmen që nga shekulli XIX.
“Ky është një fenomen i paprecedentë. Nuk kam parë kurrë një sinjal El Nino kaq intensiv në parashikimet tona”, deklaroi Adam Scaife, drejtues i parashikimeve afatgjata në Met Office.
El Niño mund të ndryshojë modelet e reshjeve dhe të rrisë rrezikun për fenomene ekstreme të motit në pjesë të ndryshme të botës. Shenja të para të ndikimit të tij janë vërejtur tashmë, përfshirë reshje nën mesataren gjatë sezonit të musoneve në Indi dhe aktivitet më të ulët të uraganeve në Atlantik.
Në Britaninë e Madhe, fenomeni mund të sjellë një vjeshtë më të lagësht dhe me më shumë stuhi, ndërsa parashikimet afatgjata po sinjalizojnë një periudhë të paqëndrueshme atmosferike.
Disa grupe shkencore kanë parashikuar një El Nino edhe më të fuqishëm, me temperatura të sipërfaqes së detit që mund të arrijnë deri në 4 gradë Celsius mbi normalen.
(A2 Televizion)