
Kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara për ta ndëshkuar me sanksionet më të ashpra financiare në histori, Irani iu përgjigj po ashtu me gjuhë të fortë. Në një reagim të premten, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Teheranit, Ali Abdollahi, paralajmëroi për kundërpërgjigje shkatërruese dhe për një aksion të gjerë e të vendosur.
“Me gatishmëri të plotë në tokë, det, ajër, mbrojtje ajrore dhe hapësirën kibernetike, Forcat e Armatosura iraniane do t’u përgjigjen kërcënimeve të reja të armikut me një kundërpërgjigje të fuqishme, ndëshkuese dhe shkatërruese.”
Njoftimi i sekretarit të Thesarit në SHBA, Scott Bessent, për një paketë të pamëshirshme masash kundër Republikës Islamike erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua për pasoja të paprecedenta ekonomike ndaj vendeve që ndihmojnë Iranin, duke shpallur atë që e quajti “D-Day ekonomik”.
“Është një goditje me dy faza. Kemi bllokadën ndaj Iranit dhe do të vendosim sanksionet më të ashpra në histori. Kjo do të funksionojë në Iran dhe ne do ta rrëzojmë këtë regjim. Është koha që aleatët tanë dhe pjesa tjetër e botës të marrin një vendim.”
Trump është nën presion të madh brenda vendit për t’i dhënë fund luftës, teksa çmimet e larta të karburantit kanë ulur ndjeshëm mbështetjen ndaj tij në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Në një intervistë telefonike të enjten, Trump deklaroi se “e kishin zhdukur Iranin”, duke i shkatërruar kapacitetet sulmuese dhe mbrojtëse, dhe se së shpejti do të kishin kontrollin e plotë të Hormuzit.
Ndërkohë, sipas kryenegociatorit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, Uashingtoni dukej se kishte arritur në përfundimin se nuk mund të triumfonte në përballjen e drejtpërdrejtë ushtarake.
Më herët, Teherani i quajti “terrorizëm ekonomik” sanksionet e paralajmëruara, të cilat, sipas tij, nuk do të krijonin as hezitimin më të vogël për të ruajtur dinjitetin dhe sovranitetin e Iranit. (A2 Televizion)