Shtëpitë në Gojan të Pukës nuk janë më të sigurta.
Zjarret dogjën disa prej shtëpive, fatmirësisht pa persona të lënduar. Me afrimin e flakëve u dha urdhër për evakuim, por banorët qëndruan deri në minutat e fundit, duke marrë me vete vetëm disa sende dhe më pas u larguan me vrap për të shpëtuar jetën.
Për ta, strehimi i përkohshëm do të jetë konvikti i qytetit të Pukës, ku do t’u ofrohen ushqim dhe shërbim shëndetësor, nëse do të jetë nevoja, të paktën siç u bë e ditur zyrtarisht, shkruan A2CNN.
Ndërkohë, në Gojan vijon puna për shuarjen e flakëve. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të zjarrfikëses dhe të ushtrisë, ndërsa nga ajri helikopterët po hedhin ujë në zonat që janë të vështira për t’u arritur.
Deri më tani, shkaqet e zjarreve nuk janë të qarta, por kryetari i Bashkisë së Pukës nuk e përjashton mundësinë që ato të jenë të qëllimshme.
Përveç Pukës, vatra zjarri janë regjistruar edhe në Dukat të Vlorës, Mal Milot në Kurbin, si dhe në malin e Dajtit në Tiranë.
(A2 Televizion)