Alarmi i OKB për super El Niño, planeti në “ujëra ferri të panjohura”, ja çfarë rrezikojmë

Nga Xhevahir Qardaku
3 Shtator 2026, 18:16 | Bota

Një fenomen natyror po merr përmasa të pazakonta.

Në brigjet e Paqësorit, oqeani po ngrohet me një ritëm që ka alarmuar meteorologët. El Niño, një fenomen i njohur klimatik, këtë herë mund të shndërrohet në një nga episodet më të fuqishme të regjistruara që prej vitit 1950. Kombet e Bashkuara flasin për një planet që ka hyrë në një “zonë të rrezikshme të motit ekstrem”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e ka përshkruar situatën me një paralajmërim të fortë: “El Niño po zmadhohet para syve tanë” dhe planeti ndodhet në ujëra të panjohura, që po ngrohen gjithnjë e më shumë.

“Përditësimi i Shërbimit Meteorologjik Botëror tregon se El Niño është forcuar dhe do të vazhdojë si një ngjarje shumë e fortë, madje jashtëzakonisht e fortë. Nëse kjo trajektore vazhdon, mund të jetë më e fortë se çdo gjë që nga fillimi i monitorimit tonë, pra fjalë për fjalë jashtë grafikëve që kemi përdorur gjatë katër dekadave të fundit”, u shpreh Celeste Saulo, shefe e Shërbimit Meteorologjik Botëror.

Dhe shenjat e para të këtij ndryshimi ekstrem janë tashmë të dukshme.

Në Kili, shirat kanë tejkaluar rekordet. Santiago përjetoi ditën më të lagësht në gati dy dekada, ndërsa në La Serena u regjistruan ndër reshjet më intensive të dokumentuara ndonjëherë. Përmbytje, rrëshqitje dheu, lumenj që dalin nga shtrati dhe banorë të evakuuar janë bërë pamje të një realiteti që mund të përsëritet në zona të tjera të globit. Shkencëtarët e quajnë këtë një “stuhi perfekte”. Sepse El Niño nuk vepron i vetëm.

“E quaj një stuhi të përsosur sepse, përveç se është një El Niño i fortë, kemi dhe rritjen e shanseve për ngjarje ekstreme. Kemi pas tij sinjalin shumë më afatgjatë, që ka të bëjë me ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike. Tashmë ka të dhëna, do të thoja statistikisht të rëndësishme, që konfirmojnë se në disa pjesë të botës intensiteti dhe frekuenca e ngjarjeve ekstreme janë rritur”, shprehet Celeste Saulo, shefe e Shërbimit Meteorologjik Botëror.

Në sfond është ngrohja globale. Temperaturat e oqeaneve dhe të atmosferës janë tashmë më të larta për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Kur mbi këtë situatë shtohet një El Niño jashtëzakonisht i fuqishëm, rreziku i fenomeneve ekstreme rritet.

“El Niño do të arrijë kulmin drejt fundit të vitit 2026, por ndikimet e tij do të ndihen shumë më pas, duke përfshirë edhe temperaturat globale. El Niño i fuqishëm i viteve 2023-2024 kontribuoi që viti 2024 të ishte viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë. Nuk duhet të habitemi nëse ky rekord thyhet. OBM do të monitorojë nga afër temperaturat globale në muajt në vijim”, thotë Celeste Saulo, Shefe e Shërbimit Meteorologjik Botëror

Dhe paradoksi është se i njëjti fenomen mund të sjellë përmbytje në një cep të botës dhe thatësirë ekstreme në një tjetër. Në pjesë të Amerikës së Jugut dhe në brigjet e Paqësorit priten reshje shumë më të mëdha se normalja. Në zona të tjera, si pellgu i Amazonës, Amerika Qendrore dhe pjesë të Azisë Juglindore, rreziku është krejt i kundërt: më pak shi, thatësirë, zjarre dhe mungesë uji.

Në Panama, kjo mund të prekë edhe një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore: Kanalin e Panamasë. Më pak reshje do të thotë më pak ujë në sistemin e kanalit dhe potencialisht kufizime për lëvizjen e anijeve.

Në Indonezi, thatësira ka krijuar terren për zjarre masive. Në disa zona, tymi është bërë pjesë e përditshmërisë së banorëve, ndërsa autoritetet janë detyruar të përdorin edhe avionë për mbjelljen artificiale të reve në përpjekje për të sjellë shi.

Në Kinë, paralajmërimi është tjetër: më shumë stuhi dhe tajfunë. Miliona njerëz janë përballur tashmë me evakuime dhe reshje ekstreme.

Ndërsa në Afrikë, Amerikën e Jugut dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara, rreziku i përmbytjeve rritet ndjeshëm.

Pra, El Niño nuk është një katastrofë e vetme. Është një zinxhir pasojash klimatike që mund të prekë ushqimin, ujin, energjinë, shëndetin, transportin dhe ekonominë globale. Por ajo që shqetëson më shumë shkencëtarët është intensiteti.

Temperaturat e sipërfaqes së Paqësorit tropikal kanë kaluar tashmë më shumë se 2 gradë Celsius mbi normalen në zonat kryesore të monitorimit. Parashikimet sugjerojnë se në kulmin e fenomenit, në muajt tetor–dhjetor, anomalitë mund t'i afrohen 4 gradëve Celsius. Nën sipërfaqe, situata është edhe më ekstreme: në disa zona të oqeanit temperaturat janë matur më shumë se 8 gradë mbi normalen.

Nëse këto parashikime realizohen, bota mund të përballet me El Niñon më të fuqishëm në dekada. Dhe ndikimi nuk do të ndalet me përfundimin e vitit. Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se pasojat mund të zgjasin të paktën deri në shkurt 2027, duke ndryshuar modelet e reshjeve dhe temperaturave në kontinente të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos