"Ka shanse për paqe me Kievin", Putin: Nuk do të ketë mobilizim dhe asnjë skenar

Nga Xhevahir Qardaku
3 Shtator 2026, 18:04 | Bota

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur indinjatën e tij në lidhje me pretendimet e Berlinit, se Moska qëndron pas tentavies për sulm në Lajpcig. I pranishëm në Forumin Ekonomik në Vladivostok, Putin mbrojti qëndrimin zyrtar rus, duke kërkuar prova në lidhje me këto akuza. Reagim të ashpër Putin pati edhe për shtetin e Norvegjisë, e cila para dy ditësh sekuestroi një anije mallarsh ruse. Por, në përgjigje të një pyetjeje, ai tha se sulmet ukrainase ndaj anijeve tregtare civile dhe "kërcënimet e raportuara për sulme ndaj avionëve civilë" përbëjnë "akte të terrorizmit shtetëror", të cilat, sipas tij, "komplikojnë perspektivat për bisedime dypalëshe paqeje".

"Sa u përket çështjeve që ngritët – sekuestrimit të mjeteve lundruese civile, goditjeve ndaj anijeve tregtare civile dhe, aq më tepër, raporteve të fundit mbi kërcënimet për sulme ndaj avionëve civilë – këto janë, sigurisht, akte terrorizmi të mbështetura nga shteti. Pa dyshim, kjo i ndërlikon perspektivat për negociata dypalëshe paqeje. Nga ana tjetër, ata që heshtin dhe e shpërfillin këtë – e kam fjalën kryesisht për aleatët perëndimorë të Ukrainës – po bëhen bashkëpunëtorë në terrorizmin ndërkombëtar", deklaroi presidenti rus.

Vladimir Putin beson se ekziston një shans për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën dhe se një mobilizim i mëtejshëm i trupave ruse është i panevojshëm. Trupat ruse janë të mjaftueshëm tha Putin, ndërsa është Ukraina ajo që po humbet afro 8 mijë ushtarë në muaj. Por Putin shtoi se kontaktet mes dy palëve janë aktive dhe se një mundësi për dhënien fund të luftës ekziston.

"Jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që po përpiqen të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. A ka ndonjë shans? Sipas mendimit tim, po, ka. Para së gjithash, kjo çështje duhet të zgjidhet nga vendet e përfshira në konflikt: Rusia dhe Ukraina. Është e vështirë për mua të them në këtë kohë se deri në çfarë mase këto kontakte po çojnë në një marrëveshje paqeje, duke pasur parasysh deklaratat që kemi dëgjuar së fundmi nga zyrtarët e lartë ukrainas. Por kontaktet ekzistojnë dhe po vazhdojnë si zakonisht, kryesisht përmes shërbimeve të inteligjencës”, tha Vladimir Putin.

Ditët e fundit, vendet nordike dhe Gjermania kanë akuzuar Rusinë se qëndron mbrapa akteve të sabotimit në disa objekte strategjike. Gjermania akuzoi drejtpërdrejt Moskën për incidentin në Lajpcig, ndërsa vendet nordike kanë faktuar se Moska mund të përfshihet në akte sabotimi shumë shpejt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos