
Bota ka hyrë në një "zonë rreziku të motit ekstrem", ndërsa ndikimet e El Niño kanë filluar të ndihen globalisht. Këtë paralajmëroi kreu i OKB-së, António Guterres.
Organizata Botërore Meteorologjike ka publikuar të dhënat më të fundit mbi fenomenin natyror të motit, duke treguar se ai mund të jetë më i forti në më shumë se 70 vjet dhe të zgjasë të paktën deri në shkurt të vitit 2027.
El Niño ndryshon modelet e motit në të gjithë botën, duke i shtyrë disa rajone në thatësirë, ndërsa të tjera përjetojnë tajfune dhe përmbytje më të forta.
Parashikuesit e motit thonë gjithashtu se El Niño do të rrisë temperaturat në disa vende, duke shtuar rritjen e nxehtësisë në nivel global nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
"El Niño po mbizmadhohet para syve tanë. Shkenca nuk lë vend për dyshim: planeti është në ujëra të paeksploruara dhe këto ujëra po ngrohen", tha Guterres.
OBM - një agjenci e OKB-së - tha se ka ndërmarrë një "mobilizim të madh" në përpjekje për të shpërndarë parashikimet e saj për ngjarje të mundshme ekstreme të motit, të lidhura me El Niño, në sa më shumë komunitete të jetë e mundur.
Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo, paralajmëroi: "El Niño ka potencialin të shkaktojë një goditje të madhe për komunitetet dhe ekonomitë në të gjithë botën".
El Niño është një fenomen natyror i motit që zhvillohet në Oqeanin Paqësor dhe lidhet me një ndryshim në modelet e erës. Ai lejon që uji i ngrohtë të përhapet drejt lindjes dhe çliron nxehtësi në atmosferë.
Temperaturat e detit në Paqësorin tropikal qendror dhe lindor janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit - një shenjë e qartë e fuqizimit të El Niños. (A2 Televizion)