Parashikuesit globalë të motit paralajmërojnë se gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026 mund të zhvillohet fenomeni klimatik El Niño, duke rritur rrezikun për temperatura më të larta dhe thatësira në pjesën më të madhe të Azisë, ndërsa në disa zona të Amerikës Veriore dhe Jugore priten reshje më intensive. Por sa i mundshëm është ky fenomen dhe sa i fortë mund të jetë ai?
THEODORE KEEPING, shkencëtar i klimës në Imperial College: “El Niño është një model klimatik global që shfaqet çdo disa vite. Ai karakterizohet nga temperatura më të ngrohta të sipërfaqes së oqeanit në pjesën qendrore të Paqësorit, duke u shtrirë deri në Paqësorin lindor pranë Amerikës së Jugut. Ky fenomen ndikon në motin lokal dhe zakonisht sjell temperatura më të larta në mbarë botën.”
A po shkon bota drejt një “Super El Niño”?
Përgjigjja e shkurtër është: ende nuk dihet. Sipas doktor Theodore Keeping, shkencëtar i klimës në Imperial College London, është ende e vështirë të parashikohet nëse El Niño i këtij viti do të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm.
DR. THEODORE KEEPING: “El Niño është i rëndësishëm sepse ndikon drejtpërdrejt në modelet lokale të motit. Ai përcakton nëse do të ketë reshje apo jo, sa intensive do të jenë ato, nëse temperaturat do të jenë të larta apo të ulëta dhe sa ekstreme mund të bëhen. Ndikimi i El Niño prek shumë rajone të botës dhe mund të jetë vendimtar për prodhimin ushqimor, suksesin apo dështimin e të korrave, si dhe për përmbytjet apo valët ekstreme të të nxehtit. Pra, është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në klimën globale.”
DR. THEODORE KEEPING: “Nuk dimë ende nëse ky episod i El Niño-s, nëse ndodh, do të jetë një ‘super El Niño’. Ajo që dimë është se ka më shumë gjasa që fenomeni të shfaqet gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Ekziston gjithashtu një mundësi e vogël që ai të jetë shumë i fortë, siç parashikohet nga disa modele klimatike, të cilat megjithatë nuk janë kurrë plotësisht të sakta.”
Agjencia meteorologjike e Japonisë vlerëson se ka 70% mundësi që fenomeni të shfaqet gjatë verës në hemisferën veriore, ndërsa autoritetet indiane paralajmërojnë se sezoni i musoneve mund të jetë nën mesataren për herë të parë pas tre vitesh.
Sipas Keeping, parashikimet e fundit tregojnë se rreziku për një El Niño ekstrem është zbutur disi.
THEODORE KEEPING: “Shumë organizata kërkimore në botë publikojnë parashikime për El Niño-n, të cilat përmblidhen nga Organizata Botërore Meteorologjike, që pritet të publikojë raportin e saj të radhës në maj. Parashikimet europiane flisnin për një El Niño shumë të fortë dhe kjo nxiti debatin aktual. Por parashikimet më të fundit amerikane flasin për rreth 90% mundësi për një episod El Niño dhe vetëm 20 deri në 30% shanse që ai të jetë shumë i fuqishëm.”
Çfarë janë El Niño dhe La Niña?
El Niño dhe La Niña janë dy faza të kundërta të të njëjtit sistem klimatik në Oqeanin Paqësor tropikal.
El Niño karakterizohet nga temperatura më të larta se normalja në sipërfaqen e oqeanit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial. Ai krijohet kur dobësohen erërat e zakonshme tregtare, duke lejuar lëvizjen e ujërave të ngrohta drejt lindjes dhe duke ndryshuar balancën e nxehtësisë në planet.
Në anën tjetër, La Niña formohet kur këto erëra forcohen, duke shtyrë më shumë ujë të ngrohtë drejt Paqësorit perëndimor dhe duke sjellë ujëra më të ftohta në lindje.
La Niña zakonisht sjell reshje mbi mesataren në Australi dhe në disa pjesë të Azisë Juglindore, ndërsa El Niño shpesh lidhet me thatësira, valë të nxehti dhe dobësim të musoneve në Indi dhe Azi.
Fenomenet El Niño shfaqen mesatarisht çdo tre deri në pesë vjet, ndërsa La Niña çdo tre deri në shtatë vjet.
DR. THEODORE KEEPING: “El Niño është pjesë e një cikli klimatik që përfshin edhe La Niña-n, e cila lidhet me temperatura më të ftohta të sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe lindor, dhe zakonisht shoqërohet me temperatura globale më të ulëta. Ekziston edhe faza neutrale, ndërsa El Niño lidhet me temperatura më të ngrohta në Paqësor dhe, si pasojë, me rritje të temperaturave globale.”
Pasojat e episodeve të mëparshme
Historia tregon se El Niño mund të ketë pasoja të rënda ekonomike dhe klimatike.
Fenomeni i fortë i viteve 2015–2016 solli thatësira të ashpra në Australi dhe Azinë Juglindore, duke dëmtuar prodhimin e drithërave, vajit të palmës dhe sheqerit. Në të njëjtën kohë, reshjet e tepërta në Amerikën e Jugut goditën prodhimin e sojës dhe misrit.
Një episod më i moderuar në vitet 2009–2010 uli prodhimin e orizit dhe grurit në Indi dhe Azinë Juglindore për shkak të motit të thatë.
Ndërsa El Niño më i fortë i regjistruar ndonjëherë, ai i viteve 1997–1998, shkaktoi thatësira të mëdha në disa pjesë të Azisë dhe përmbytje shkatërruese në Amerikë.
DR. THEODORE KEEPING: “El Niño i viteve 2023–2024 përkoi me periudhën 12-mujore më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Gjatë atij viti pamë shumë ngjarje ekstreme të motit me ndikim të madh në mbarë botën. Edhe pse El Niño pati rol të rëndësishëm, shumë studime klimatike treguan se ndikimi i ndryshimeve klimatike ishte edhe më i fortë. Pra, ndryshimet klimatike po rrisin ndjeshëm mundësinë për fenomene ekstreme, ndërsa El Niño mund të shërbejë si një shtysë shtesë për valë të nxehti, thatësira apo reshje ekstreme.”
Shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje të qartë nëse ndryshimet klimatike po ndryshojnë drejtpërdrejt ciklet e El Niño dhe La Niña. Por ajo që dihet, sipas ekspertëve, është se ngrohja globale po i bën efektet e këtyre fenomeneve edhe më ekstreme.
DR. THEODORE KEEPING: “Nuk e dimë ende nëse modeli El Niño-La Niña po ndryshon si pasojë e ndryshimeve klimatike. Por ajo që dimë është se nëse ndodh një El Niño, ndryshimet klimatike i bëjnë efektet e tij më ekstreme — qoftë për temperaturat e larta, reshjet intensive apo thatësirat — krahasuar me atë që kemi parë historikisht.”
DR. THEODORE KEEPING: “Klima po ndryshon me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe ende nuk dimë saktësisht si do të reagojë modeli El Niño në të ardhmen. Por dimë se, ndërsa planeti vazhdon të ngrohet, pothuajse të gjitha fenomenet ekstreme të motit, përveç të ftohtit ekstrem, po bëhen gjithnjë e më të mundshme. Dhe kjo prirje do të vazhdojë derisa të ndalet ndryshimi klimatik. El Niño mbetet një faktor shtesë që mund të rrisë mundësinë dhe intensitetin e këtyre fenomeneve ekstreme.”
El Niño mbetet një fenomen natyror që ka shoqëruar planetin prej mijëra vitesh. Por në një botë që po ngrohet me ritme alarmante, efektet e tij po bëhen gjithnjë e më të rënda dhe më të paparashikueshme.
Shkencëtarët ende nuk mund të thonë me siguri nëse viti 2026 do të sjellë një “super El Niño”, por paralajmërimi është i qartë: ndryshimet klimatike po i shtojnë forcë çdo ekstremeje të motit. Dhe ndërsa planeti përballet me temperatura rekord, thatësira, reshje ekstreme dhe zjarre shkatërruese, pyetja nuk është më nëse klima po ndryshon… por sa të përgatitur jemi ne për botën që po vjen. (A2 Televizion)