SHBA-Iran drejt një ujdie të përkohshme, plani me 3 faza synon t’i japë fund luftës dhe krizës në Hormuz

Nga Rosalba Bejdo
7 Maj 2026, 22:25 | Bota

Plani me 3 faza synon t’i japë fund luftës dhe krizës në Hormuz. Shtetet e Bashkuara dhe Irani po shkojnë drejt një marrëveshje të përkohshme për të mbyllur luftën mes tyre, shkruan A2CNN. 

Këtë e thanë zyrtare dhe burime me njohuri mbi çështjen te enjten, teksa Teherani po shqyrton propozimin e SHBA, që do të ndalte luftimet por do të linte të pazgjidhur çështje kryesore mes tyre. Një zëdhënës I ministrisë së jashtme të Iranit tha se Teherani nuk ka arritur ende në një konkluzion mbi planin, që sipas raportimeve përqendrohet në një memorandum, më shumë se sa tek një ujdi gjithëpërfshirëse paqeje.

Shpresat se edhe një marrëveshje e pjesshme do të çonte në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kane reflektuar menjëherë ndikimin në tregje, me çmimet e naftës që ranë sërish. Teherani dhe Uashingtoni kanë ulur ambiciet për një marrëveshje të gjerë, pasi dallimet mes tyre janë të mëdha, veçanërisht lidhur me programin bërthamor, përfshirë fatin e rezervave të uraniumit të pasuruar.

Në vend të kësaj, siç thonë burimet, palët po punojnë drejt një marrëveshjeje të përkohshme, të përshkruar në një memorandum njëfaqësh, që synon të shmangë rikthimin e konfliktit dhe të stabilizojë lundrimin detar në ngushticë. “Prioriteti ynë është që ata të shpallin një fund të përhershëm të luftës, ndërsa çështjet e tjera mund të zgjidhen pasi të rikthehen në bisedime të drejtpërdrejta,” tha për Reuters një zyrtar i lartë pakistanez i përfshirë në ndërmjetësimin mes dy palëve.

Sipas burimeve dhe zyrtarëve, kuadri i propozuar do të zhvillohej në tre faza: përfundimi zyrtar i luftës, zgjidhja e krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe nisja e një periudhe 30-ditore negociatash për një marrëveshje më të gjerë. Më herët presidenti amerikan Donald Trump përcolli tone optimiste, duke thënë se Irani dëshiron një ujdi dhe se lufta do të mbaroj shpejt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos