Alarmi për ishujt Falkland, nafta dhe Trump ndezin sërish konfliktin mes Britanisë dhe Argjentinës

Nga Rosalba Bejdo
5 Tetor 2026, 18:57 | Bota

Në mes të Atlantikut të Jugut, rreth 500 kilometra nga brigjet e Argjentinës, ndodhen ishujt Falkland – ose Malvinas, siç i quajnë në Buenos Aires. Një territor i largët, me vetëm rreth 3 mijë e 600 banorë, por që prej dekadash mbetet në qendër të një prej mosmarrëveshjeve më të ndjeshme territoriale mes Britanisë dhe Argjentinës.  Për Londrën, bëhet fjalë për një territor britanik përtej deteve, banorët e të cilit kanë të drejtë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

Argjentina e konsideron si territorin e vet, të marrë në mënyrë të paligjshme nga Britania në vitin 1833.

Sr. Matthew Benwell nga Universiteti i Newcastle shprehet: “Fillimisht, Britania, si fuqi koloniale, pretendoi ishujt Falkland për shkak të pozicionit të tyre strategjik ushtarak dhe detar në Atlantikun jugperëndimor. Argumenti i Britanisë për sovranitetin bazohet në administrimin e gjatë politik të ishujve, që nga viti 1833 e në vazhdim, me një ndërprerje të shkurtër, sigurisht, në vitin 1982, si pasojë e luftës. Britania këmbëngul se ishujt janë një territor britanik përtej deteve, me vetëqeverisje, dhe mbështet të drejtën e banorëve të ishujve për vetëvendosje.”

Por historia e konfliktit nuk është vetëm diplomatike. Në prill të vitit 1982, junta ushtarake argjentinase e drejtuar nga gjenerali Leopoldo Galtieri urdhëroi pushtimin e ishujve, duke besuar se Britania nuk do të reagonte ushtarakisht. Në Buenos Aires, mijëra njerëz dolën në shesh për të mbështetur regjimin.

Por përgjigjja e Londrës ishte e menjëhershme. Kryeministrja e atëhershme britanike Margaret Thatcher dërgoi një task-forcë detare drejt Atlantikut të Jugut.

Pas 74 ditësh luftime, forcat britanike rimorën kontrollin e ishujve. Lufta la pas 649 argjentinas të vrarë, 255 ushtarakë britanikë dhe tre banorë të ishujve.

“Mendoj se Falklandet mbeten politikisht të rëndësishme në Britani, kryesisht për shkak të 255 jetëve që u humbën në Luftën e Falklandeve. Pra, lufta e vitit 1982 dhe kujtesa e saj vazhdojnë të kenë një jehonë shumë të fortë në jetën politike dhe publike britanike. Kjo e ka bërë të vështirë që qeveritë britanike të mëvonshme të bëjnë diçka tjetër përveçse të mbështesin të drejtën e banorëve të ishujve për të mbetur një territor britanik përtej deteve.Dhe kjo e drejtë mbrohet edhe përmes pranisë së vazhdueshme të ushtrisë britanike, e cila është e dislokuar në Falklande”, tha Benwell.

 “Në Argjentinë, Malvinasit janë një pjesë shumë e dukshme e jetës publike. Që në moshë shumë të vogël, të gjithë argjentinasve u thuhet se ishujt i përkasin Argjentinës dhe se janë të pushtuar në mënyrë të paligjshme nga britanikët.Prandaj, ata shfaqen dukshëm në hapësirën publike, përmes memorialeve, muraleve, grafiteve dhe hartave që i paraqesin si pjesë të territorit kombëtar argjentinas”, u shpreh Benwell.

Kjo kërkesë është përsëritur edhe nga presidenti aktual, Javier Milei. Në prill të këtij viti, gjatë një ceremonie përkujtimore, Milei e bëri të qartë se pretendimi territorial i Argjentinës mbetet i pandryshuar. Por një tjetër faktor e ndërlikon çështjen. Vetë banorët e Falklandeve kanë shprehur në mënyrë të përsëritur vullnetin për të mbetur nën administrimin britanik. Në vitin 2013, ishujt zhvilluan një referendum për statusin e tyre politik. Rezultati ishte pothuajse unanim.99.8 për qind e votuesve mbështetën vazhdimin e statusit të Falklandeve si territor britanik përtej deteve.

 “Po, banorët e Falklandeve e shohin veten fillimisht si banorë të Falklandeve, por gjithashtu edhe si qytetarë britanikë. Prandaj, mendoj se nëse do t’i pyesnit, ata me siguri do ta shihnin të ardhmen e tyre politike si një territor britanik përtej deteve. Në fakt, në vitin 2013, qeveria e Ishujve Falkland zhvilloi një referendum për statusin e tyre politik dhe 99.8 për qind e elektoratit votoi në favor të vazhdimit të statusit si territor britanik përtej deteve. Kështu që mendoj se ata janë shumë komodë me marrëdhënien aktuale me Britaninë dhe vazhdojnë të kenë mbështetje shumë të fortë për të drejtën e tyre të vetëvendosjes në të gjithë spektrin politik në Britani”, tha Benwell.

Argjentina e ka kundërshtuar këtë referendum.Buenos Aires argumenton se popullsia e ishujve është vendosur nga Britania pas marrjes së kontrollit në vitin 1833 dhe se referendumi nuk mund të përcaktojë sovranitetin mbi territorin.Dhe sot, çështja po merr sërish një dimension të ri.Në korrik, debati u rikthye edhe në skenën ndërkombëtare përmes futbollit.

Pas një ndeshjeje të Argjentinës në Kupën e Botës, disa prej lojtarëve argjentinas shfaqën një banderolë që deklaronte sovranitetin argjentinas mbi ishujt.Mesazhi shkaktoi polemika, jo vetëm për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, por edhe sepse FIFA ndalon shprehjet politike gjatë ndeshjeve ndërkombëtare.

 “Ju mund të kujtoni se çështja u rikthye dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në korrik të këtij viti, kur disa prej futbollistëve të Argjentinës shfaqën një banderolë pas ndeshjes së tyre me Anglinë në Kupën e Botës. Kjo banderolë deklaronte sovranitetin argjentinas mbi ishujt dhe ishte jashtëzakonisht e diskutueshme, sepse e solli çështjen përpara një audience globale.Më pas patëm edhe deklaratat e ndryshme të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndryshime të mundshme në qëndrimin neutral të Shteteve të Bashkuara ndaj mosmarrëveshjes për sovranitetin.Mendoj se shfrytëzimi i afërt i naftës në ujërat përreth Falklandeve padyshim i ka rritur edhe më tej përmasat e konfliktit”, u shpreh Benwell.

Dhe pikërisht nafta është një prej arsyeve kryesore pse mosmarrëveshja po fiton rëndësi të re. Rreth ishujve janë zbuluar rezerva të konsiderueshme nafte dhe zhvillimi i fushës Sea Lion, në veri të Falklandeve, po shihet nga Buenos Aires si një kërcënim ndaj interesave argjentinase. Në shtator, Milei njoftoi plane për masa ndëshkuese ndaj kompanive që operojnë në zonën e ishujve pa autorizimin e Argjentinës. Por në këtë histori është futur edhe një aktor tjetër: Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka mbajtur tradicionalisht një qëndrim neutral ndaj sovranitetit të Falklandeve, duke pranuar se ishujt administrohen nga Britania, ndërsa njeh edhe pretendimin argjentinas. Por në vitin 2026, Donald Trump ka lënë të kuptohet se ky qëndrim mund të rishikohet.

Për qeverinë e Falklandeve, deklarata të tilla nuk janë të panjohura.

 “Mendoj se nga këndvështrimi i qeverisë së Ishujve Falkland, ata janë mjaft të mësuar me këtë lloj zhurme të jashtme rreth çështjes së sovranitetit të ishujve. Dhe ata kanë prirur t’u përgjigjen me mjaft qetësi këtyre deklaratave që kanë ardhur nga vende të tjera, si nga Argjentina, ashtu edhe në këtë rast nga Shtëpia e Bardhë.”

Por në Buenos Aires, çështja vazhdon të jetë politikisht e fuqishme. Presidenti Javier Milei përballet me zgjedhje presidenciale vitin e ardhshëm dhe me sfida të konsiderueshme ekonomike e politike brenda vendit. Sipas ekspertëve, rikthimi i fortë te çështja e Malvinasve mund të jetë edhe një përpjekje për të mobilizuar opinionin publik.

“Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, do të përballet me zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.Pra, ai po përballet me sfida të konsiderueshme ekonomike dhe politike në vend.Mund të argumentohet se ai ka zgjedhur pikërisht këtë moment për t’iu rikthyer pretendimit të Argjentinës mbi Falklandet, në përpjekje për të mbledhur mbështetje dhe për të fituar momentum politik.”

Pavarësisht retorikës së fortë, Argjentina sot nuk kërkon luftë. Milei, një president me orientim të fortë pro-amerikan dhe me marrëdhënie të afërta politike me Donald Trump, ka përsëritur se çështja duhet të zgjidhet përmes diplomacisë.Por në terren, Britania vazhdon të mbajë një prani të rëndësishme ushtarake. Baza ajrore britanike në Mount Pleasant është një prej garancive kryesore të sigurisë së ishujve.

“Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, Britania ofron sigurinë dhe mbrojtjen që kërkojnë Ishujt Falkland. Baza ushtarake britanike e vendosur në Falklande ofron këtë garanci kundër çdo agresioni të mundshëm argjentinas në të ardhmen. Dhe po, banorët e ishujve dhe Britania do të argumentonin se kjo është e nevojshme dhe duhet të vazhdojë. Mendoj se ata ende kanë nevojë për këtë marrëdhënie me Britaninë dhe për këtë garanci britanike në politikën e jashtme dhe në mbrojtje, për sigurinë e tyre.”

Organizata e Kombeve të Bashkuara i klasifikon Falklandet si territor jo-vetëqeverisës dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që Britania dhe Argjentina të rikthehen në negociata për një zgjidhje paqësore. Por OKB-ja nuk ka vendosur se kujt i takon sovraniteti mbi ishujt. Ndërkohë, edhe dimensioni gjeopolitik po zgjerohet. Nga një territor i largët në Atlantikun e Jugut, Falklandet mund të kthehen kështu në një pikë të re tensioni mes Britanisë, Argjentinës dhe fuqive të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos