Nobeli në Mjekësi, shkencëtarët gjermanë dhe amerikanë fitojnë çmimin

Nga Erjon Dervishi
5 Tetor 2026, 19:44 | Bota

Shkencëtari amerikan Karl Deisseroth dhe gjermanët Peter Hegemann e Georg Nagel fituan Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2026, për zbulimet e tyre mbi dritën dhe optogjenetikën, të cilat kanë ndihmuar në kuptimin e mënyrës se si funksionon truri.

Asambleja Nobel e Institutit Karolinska, universitetit mjekësor suedez, njoftoi se Deisseroth, 54 vjeç, Hegemann, 71 vjeç, dhe Nagel, 73 vjeç, u përzgjodhën për “zbulimet e tyre lidhur me kanalet jonike të kontrolluara nga drita dhe optogjenetikën”.

Asambleja Nobel në Institutin Karolinska: “Vendosi t’ia japë Çmimin Nobel 2026 në Fiziologji ose Mjekësi Karl Deisseroth-it, Peter Hegemann-it dhe Georg Nagel-it, për zbulimet e tyre lidhur me kanalet jonike të kontrolluara nga drita dhe optogjenetikën.”

Optogjenetika “bën të mundur aktivizimin ose çaktivizimin e veprimtarisë së qelizave individuale nervore në një tru të gjallë”, tha Thomas Perlmann, sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Nobel në Institutin Karolinska.

Në provat klinike, studiuesit po përpiqen t’u rikthejnë shikimin njerëzve të verbër për shkak të një gjendjeje të quajtur retinitis pigmentosa, duke futur një proteinë të ndjeshme ndaj dritës në retinë.

Studiuesit shpresojnë gjithashtu se optogjenetika mund të përmirësojë implantet e dëgjimit, duke mundësuar një stimulim më të saktë të nervit dëgjimor krahasuar me pajisjet aktuale elektrike.

Çmimi në Fiziologji ose Mjekësi tradicionalisht hap ciklin vjetor të njoftimeve për Çmimet Nobel. Çmimet në fizikë, kimi, letërsi, paqe dhe ekonomi do të shpallen në ditët në vijim.

Deisseroth, Hegemann dhe Nagel do ta ndajnë mes tyre shumën e çmimit, e cila arrin në 12 milionë korona suedeze, ose rreth 1.2 milionë dollarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos