Katër anëtarë të ekuipazhit të një anije, humbën jetën të martën gjatë një sulmi nga rebelët Houthi – të mbështetur nga Irani –në ngushticën Bab el-Mandeb, njoftoi Ministria e Transportit e Jemenit; ndërkohë, burime të tjera raportuan për një sulm me raketë ndaj një anijeje kontejnerësh pranë brigjeve të Pakistanit, që dyshohet të jetë kryer nga SHBA-ja.
Vdekjet në bordin e anijes "Tihamah" (në pronësi egjiptiane), nëse konfirmohen, do të shënonin rastet e para fatale gjatë një sulmi të Houthi-ve ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt. Houthi-t nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për këtë sulm.
Ministria jemenase bëri të ditur se viktimat ishin tre shtetas pakistanezë dhe një indonezian, duke shtuar se ekuipazhi humbi kontrollin e anijes pas sulmit.
Tre pjesëtarë të Rojës Bregdetare u plagosën pasi u vunë në shënjestër nga një dron ndërsa përpiqeshin të shpëtonin ekuipazhin, thanë burime ushtarake jemenase. Më 20 korrik, Houthi-t shpallën një embargo detare ndaj Arabisë Saudite në Detin e Kuq, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ata e përshkruan si rrethim saudit. Riadi e mohon se Jemeni ndodhet nën rrethim.
Anija u godit nga një predhë e panjohur, sipas një raporti të marrë nga agjencia UKMTO (Operacionet Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar), e cila është e lidhur me Marinën Britanike.
Incidenti ndodhi ndërsa anija ishte e ankoruar në verilindje të ishullit Perim, në Jemen, njoftoi grupi britanik i sigurisë detare "Ambrey".
Ndërkohë kontenjeri "Vela Nova" – që lundronte me flamur të Panamasë – u godit nga një raketë pranë brigjeve të Pakistanit ndërsa hynte në Gjirin e Omanit, thanë për agjencinë Reuters burime të sigurisë detare.
Gazeta "The Wall Street Journal" raportoi se anija u sulmua nga një helikopter amerikan, i cili qëlloi me një raketë "Hellfire" drejt timonit të anijes, pasi ajo u përpoq t'i shmangej bllokadës amerikane ndaj anijeve të lidhura me Iranin në rajon.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Komanda Qendrore e SHBA-së.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte anija e 12-të e sulmuar nga forcat amerikane që nga shpallja e bllokadës në prill dhe e treta që nga rivendosja e saj më 14 korrik. (A2 Televizion)