
Pas BE-së edhe SHBA ka reaguar lidhur me deklaratat e Vuçiçit për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, veprim që mund të lërë Kosovën pa ujë.
Departamenti amerikan i Shtetit reagoi lidhur me këtë çështje, duke i thënë “Radios Evropa e Lirë” se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Më herët Brukseli theksoi se duhet të shmangen veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 9 gusht Presidenti Vuçiç tha se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës. (A2 Televizion)