
Pakistani tha të martën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa Katari, i cili po ashtu luan rolin e ndërmjetësuesit, deklaroi se bisedimet për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit janë në një fazë të avancuar, pavarësisht raportimeve për sulme të reja ndaj anijeve në ujërat e rajonit.
Këto deklarata rritën shpresat se Irani dhe SHBA-ja mund t’i japin fund ngërçit që, në praktikë, ka bllokuar këtë rrugë jetike ujore, përmes së cilës para luftës kalonte një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Mundësitë për një marrëveshje ishin zbehur të hënën, pas deklaratave dhe kërkesave të fundit nga të dyja palët.
Në një intervistë për Bloomberg News, ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, tha se “gjërat po zhvillohen sërish në favor të një marrëveshjeje paqeje apo të një marrëveshjeje”. “Sinjalet e dy-tre ditëve të fundit janë se jemi pranë një lloj marrëveshjeje.”
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, u takua të martën në Teheran me ministrin e Brendshëm të Pakistanit, Mohsin Naqvi, bëri të ditur kanali i Araqchit në Telegram, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha në një konferencë për shtyp të martën se diskutimet e veçanta mes Omanit dhe Iranit për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit janë në një fazë të avancuar.
(A2 Televizion)