Orë zjarri mes Ukrainës dhe Rusisë. Forcat e armatosura në Kiev njoftuan se kishin goditur një rafineri nafte në Orsk të Rusisë, 1 500 kilometra larg frontit të luftës. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi i ndërmarrë me raketa me rreze të gjatë në thellësi të territorit rus kishte shënjestruar një prej rafinerive më të mëdha të naftës në rajonin e Orenburgut. Siç thuhet, një zjarr ishte raportuar në zonë.
Presidenti Zelenski ka thënë së fundmi se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike synojnë të kufizojnë të ardhurat nga nafta, të cilat Moska i përdor për të financuar luftën.
Kievi ndërmori gjithashtu një tjetër sulm me dronë kundër Rusisë, që shkaktoi zjarr në një fabrikë të Wildberries në Voronezh, e njohur si kompania Amazon e Rusisë, shkruan A2 CNN. Sulmet e reja vijnë një ditë pasi Ukraina vrau të paktën 13 persona dhe plagosi rreth 40 të tjerë në qytetin e Nizhnekamskut, në një prej bilanceve më të rënda civile për Rusinë.
Ndërkohë, Moska goditi Ukrainën me një valë të re bombardimesh, duke shkaktuar të paktën 9 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Tre persona u vranë në Zaporizhzhia, ku u lëshuan raketa dhe bomba të drejtuara nga ajri. Në kryeqytetin Kiev, kryebashkiaku Vitaliy Klitschko raportoi shpërthime të forta, teksa tha se kryeqyteti kishte qenë nën sulm balistik mbrëmjen e së hënës. Shërbimet e emergjencës thanë se një fabrikë kishte marrë zjarr dhe një person ishte plagosur.
Në rajonin lindor të Dnipropetrovskut u vranë tre persona dhe u plagosën pesë të tjerë në një sulm me dronë dhe artileri.
Shkëmbimi i zjarrit vjen teksa presidenti Volodimir Zelenski tha se Rusia kishte përdorur raketa balistike të Koresë së Veriut në sulme vdekjeprurëse kundër Zaporizhzhias. (A2 Televizion)