
Ukraina dhe Rusia kanë vazhduar sulmet ndaj njëra-tjetrës gjatë natës, me Presidentin Volodymyr Zelensky që akuzon Moskën për përdorimin e raketave të Koresë së Veriut.
Ukraina tha se sulmet në qytetin jugor të Zaporizhzhisë , të cilat vranë shtatë persona dhe plagosën të paktën 24 të tjerë, përfshinin raketa balistike nga aleati i Rusisë.
Në Voronezh, në perëndim të Rusisë, depot e shitësit me pakicë më të madh online Wildberries u goditën nga Ukraina. Kompania, e njohur si Amazon i Rusisë, është shënjestruar vazhdimisht në javët e fundit.
Sulmet vijnë një ditë pasi të paktën 13 persona u vranë, përfshirë një fëmijë, në sulmet me dronë ukrainasë në republikën ruse të Tatarstanit, më shumë se 1,100 km nga kufiri ukrainas.
Në një video-adresim të hënën në mbrëmje, Zelensky tha “për herë të parë” se Rusia “nuk mund të zhvillojë luftë pa përforcime nga Koreja e Veriut”.
“Sa më shumë sulme të Koresë së Veriut të ketë këtu në Ukrainë, në Evropë, aq më shumë përdoren raketat dhe ushtarët e tyre, aq më shumë ata korrigjojnë mangësitë dhe pikat e tyre të verbëra”, tha Zelensky, duke shtuar se kjo përbën një rrezik për pjesën tjetër të botës.
Ai nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur komentet e tij. Nuk është hera e parë që Zelensky, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas dhe perëndimorë, e kanë akuzuar Rusinë për marrjen e ndihmës ushtarake nga Koreja e Veriut.
(A2 Televizion)