Amerikani mbeti i bllokuar në -43°C, evakuim spektakolar në Antarktidë

Nga A2 CNN
7 Gusht 2026, 20:22 | Bota

Amerikani mbeti i bllokuar në -43°C, evakuim spektakolar në

Një shtetas amerikan është evakuuar nga Antarktida në një mision të jashtëzakonshëm mjekësor, i zhvilluar në mes të dimrit polar, në kushte ekstreme dhe pothuajse në errësirë të plotë, shkruan A2 CNN. Operacioni nisi më 28 korrik, pasi Divizioni Australian i Antarktidës kërkoi ndihmë urgjente për evakuimin e një personi që ndodhej në stacionin kërkimor amerikan McMurdo.

Një përpjekje e parë për të realizuar fluturimin, më 29 korrik, u shty për shkak të motit të keq. Dy ditë më vonë, më 31 korrik, avioni Airbus A319 i kompanisë australiane Skytraders, i quajtur “Snowbird 1”, u nis nga Australia në orën 02:44 të mëngjesit.

Pas më shumë se pesë orësh fluturim, avioni mbërriti në stacionin McMurdo, ku u përball me kushte jashtëzakonisht të vështira. Temperatura kishte zbritur në rreth -43 gradë Celsius dhe zona ishte zhytur në errësirë të plotë.

Ekipi arriti të transferojë në mënyrë të sigurt pacientin në avion dhe u largua nga Antarktida përpara përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve atmosferike. Avioni më pas u drejtua për në Christchurch të Zelandës së Re, ku pacienti mori trajtim mjekësor.

Amerikani mbeti i bllokuar në -43°C, evakuim spektakolar në

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi gjendjen shëndetësore apo identitetin e pacientit. Kompania Skytraders bëri të ditur vetëm se ai po rikuperohet mirë.

Kapiteni Al Wallach, piloti kryesor i misionit, e cilësoi operacionin si një nga fluturimet më sfiduese të realizuara në Antarktidë. “Çdo mision në Antarktidë kërkon saktësi absolute, por operacionet dimërore e rrisin ndjeshëm kompleksitetin”, deklaroi ai, duke shtuar se kushtet ishin në kufijtë e kapaciteteve të avionëve më të specializuar.

Edhe bashkëpilotja Louise Robertson shpjegoi se fluturimet drejt Antarktidës janë të vështira edhe gjatë verës, pasi pistat janë kryesisht të përbëra nga dëborë e ngjeshur dhe duhet të përgatiten posaçërisht për të garantuar frenimin dhe sigurinë e avionit.

Amerikani mbeti i bllokuar në -43°C, evakuim spektakolar në

Përpara misionit, ekuipazhi kishte përgatitur edhe skenarë ekstremë, përfshirë mundësinë e një ndërprerjeje të energjisë në pistë, uljen me shikueshmëri zero dhe nevojën për t’u kthyer në Australi në rast pamundësie për të zbritur.

Ekipi duhej të kryente vazhdimisht llogaritje të përshtatura me temperaturat ekstreme dhe lartësinë, ndërsa komunikimi me ekipet meteorologjike dhe stacionet e ndryshme ishte i pandërprerë.

Sipas Robertson, vetëm pasi avioni iu afrua Zelandës së Re, ekuipazhi mundi të ndiente lehtësimin pas një operacioni që kërkoi përqendrim maksimal dhe koordinim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos