
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, është zyrtarisht futbollisti më i ri i Rayo Vallecano, ku do të luajë në formë huazimi nga Roma për sezonin e ri, shkruan A2 CNN.
Me këtë transferim, 26-vjeçari rikthehet në La Liga, kampionat që e njeh mirë pas aventurave të mëparshme me Espanyol dhe Mallorca. Te Rayo, Kumbulla synon të fitojë më shumë minuta në fushë dhe të rikthejë formën e tij më të mirë, duke i dhënë më shumë siguri repartit mbrojtës të skuadrës madrilene.
Në qendër të mbrojtjes ai do të konkurrojë me Florian Lejeune, Nobel Mendy dhe Luiz Felipe, ndërsa bëhet përforcimi i tretë i Rayo Vallecano gjatë kësaj merkatoje verore, pas blerjeve përfundimtare të Mendy dhe Vertrouwd.
Sezonin e kaluar, Kumbulla ishte pjesë e Mallorca, por nuk arriti të kishte vazhdimësi, duke zhvilluar vetëm 10 ndeshje zyrtare. Tashmë ai shpreson që te Rayo Vallecano të rigjejë ritmin dhe të luajë një rol të rëndësishëm në objektivat e klubit për sezonin e ri.
Kalimi te Rayo konsiderohet një mundësi e mirë për mbrojtësin shqiptar, i cili synon të rikthehet në nivelin që e bëri një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar dhe të vazhdojë të jetë një element i rëndësishëm edhe për Kombëtaren. (A2 Televizion)