
Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, të ngjashme me atë të NATO-s, sipas së cilës një sulm i armatosur ndaj njërit prej tre vendeve do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.
Marrëveshja, e nënshkruar në Mekë gjatë takimit mes princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman, presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe krijimin e një mekanizmi të përbashkët parandalues ndaj kërcënimeve të jashtme.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se marrëveshja synon të “forcojë parandalimin kolektiv ndaj çdo akti agresioni” dhe përcakton se një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tre shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve, përcjell A2 CNN. Dokumenti parashikon gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, megjithëse nuk përcakton në mënyrë të detajuar detyrimet konkrete të secilit vend. Një zyrtar turk e ka përshkruar marrëveshjen si “tërësisht mbrojtëse”.
Pakti arrihet në një moment të tensionuar për sigurinë në Lindjen e Mesme, ndërsa lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka prekur drejtpërdrejt sigurinë e vendeve të Gjirit dhe ka shkaktuar probleme për trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.
Për Arabinë Saudite, marrëveshja shihet si një shtresë shtesë sigurie në një rajon ku arkitektura tradicionale e mbrojtjes është tronditur.
Pakistani, ndërkohë, përfiton nga lidhja me fuqinë ekonomike të Arabisë Saudite dhe kapacitetet ushtarake e industriale të Turqisë, veçanërisht pas përshkallëzimit të tensioneve me Indinë në vitin 2025.
Për Turqinë, marrëveshja mund të krijojë mundësi të reja për industrinë e saj të mbrojtjes, përmes prodhimit të përbashkët, partneriteteve teknologjike, prokurimeve ushtarake dhe rritjes së ndërveprueshmërisë mes forcave të tre vendeve.
Marrëveshja e Mekës shënon kështu një afrim të rëndësishëm strategjik mes tre prej fuqive më të mëdha myslimane. (A2 Televizion)