Analiza/ Ç’efekte do të ketë “One Big Beautiful Bill” për amerikanët?

Nga A2 CNN
4 Korrik 2025, 09:01 | Bota
Analiza/ Ç’efekte do të ketë “One Big Beautiful

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi projektligjin për taksat dhe shpenzimet, të kërkuar nga Presidenti Donald Trump. Deputetët votuan me 218 vota pro dhe 214 kundër për paketën legjislative, e cila u bë e njohur si “One Big Beautiful Bill” dhe për të cilën ka mjaft diskutime dhe kritika. Edhe senati e ka dhënë dritën e gjelbër. Tani presidenti Trump mund ta nënshkruajë projektligjin në mënyrë që ai të hyjë në fundi më 4 korrik, në ditën e festës kombëtare, sikurse edhe synonte.

Çfarë përmban ‘One Big Beautiful Bill Act’?

Paketa përfshin një përzierje uljesh të taksave individuale dhe atyre të bizneseve, shpenzime masive për kontrollet e imigracionit, rritje të shpenzimeve ushtarake dhe një rritje të stimujve për karburantet fosile.

Gjithashtu ka ndryshime në të drejtën për t’u përfshirë në programet shëndetësore dhe sociale, si dhe mbyllje të disa prej nismave të tranzicionit klimatik të iniciuara nga ish-Presidenti Joe Biden.

Përfituesit kryesorë janë sferat e politikave që kanë qenë themeli i mantrës së Trumpit “Amerika e Para”, përcjell A2.

Shpenzime për armatimin dhe kufizimin e imigracionit

Një shumë prej 178 miliardë dollarësh (rreth 150 miliardë euro) do të shkojnë për programe që synojnë të kufizojnë imigracionin, ndër të cilat bëjnë pjesë rifillimi i ndërtimit të murit kufitar me Meksikën, shtimi i personelit dhe i burimeve të policisë kufitare, hetimi dhe përndjekja penale e emigrantëve.

Rreth 153 miliardë dollarë do të shpenzohen për mbrojtjen: ndërtim anijesh, sisteme për mbrojtjen nga raketat, armë bërthamore dhe mbështetje për ndihmën ushtarake në kufi.

Dhe pasi premtimeve gjatë fushatës elektoraledhe në fjalimin e tij të fitores se do të “shponte, sa të mundte” – pra për rritjen e nxjerrjes së lëndëve djegëse fosile -projektligji do të stimulojë si eksplorimin e burimeve dhe eksportet e gazit, dhe do t’u jepë fund koncesioneve dhe stimujve për automjetet elektrike, energjinë e pastër dhe programet e reduktimit të emetimeve.

Gjithashtu do të ketë ulje taksash prej rreth 4.5 trilionë dollarësh (3.8 trilionë euro) për individët dhe bizneset. Këtu përfshihet edhe premtimi i Trumpit për të ndaluar taksimin e bakshisheve dhe të pagesës së orëve shtesë për punë jashtë orarit.

Pakënaqësi dhe kritika

Paketa legjislative “One Big Beautiful Bill”, është kritikuar për shkak të barrës që pritet të shkaktojë në buxhetin e SHBA-së. Ekspertët e pavarur të buxhetit të Kongresit vlerësojnë se brenda dhjetë viteve planet e Trumpit mund ta rrisin borxhin amerikan edhe me 3.4 trilionë dollarë. Prandaj këtë ligj e kritikuan edhe republikanët që janë konservatorë për sa i përket politikës fiskale.

Sipas një sondazhi të Universitetit Quinnipiac zhvilluar në mes të qershorit, 53% e amerikanëve e mbështesin projektligjin dhe 27% jo, kurse pjesa tjetër nuk u shpreh as në favor, as kundër.

Pro paketës janë vetëm dy të tretat e votuesve republikanë. Analistët me të cilët foli DW thanë se kur u shpjegon votuesve përmbajtjen e projektligjit mbështetja për të bie, përfshirë edhe votuesit e republikanëve./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos