Aneksimi i Bregut Perëndimor, SHBA kundër lëvizjes në Parlamentin Izraelit: Minohet plani i paqes

Nga Rosalba Bejdo
23 Tetor 2025, 15:04 | Bota

Lëvizja e ndërmarrë nga parlamenti izraelit për aneksimin e Bregut të Pushtuar Perëndimor do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Është Sekretari Amerikan i Shtetit që e bën një paralajmërim të tillë, pasi politikanë të së djathtës ekstreme ndërmorën një hap simbolik për t’i dhënë miratimin fillestar një projektligji që i jep Izraelit autoritetin për të aneksuar Bregun Perëndimor. Synimi i tyre është të vënë në pozita të vështira kryeministrin Netanjahu, shkruan A2 CNN.

“Sa i përket votimit në parlamentin izraelit, mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se, për momentin, nuk është diçka të cilën e mbështesim. Dhe ne mendojmë se kjo kërcënon marrëveshjen e paqes”, tha Rubio.

Në të kaluarën, Netanjahu ka folur në mbështetje të aneksimit të Bregut Perëndimor, por nuk e ka avancuar një ide të tillë për shkak të rrezikut për prishje të raporteve me SHBA-në, një prej aleatëve të vet më të fuqishëm, si dhe me vendet arabe që kanë rindërtuar marrëdhëniet me Izraelin pas dekadave armiqësie.

Ultranacionalistët në qeverinë e koalicionit të Netanjahut kanë kërkuar vazhdimisht që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor, edhe pse projektligji u propozua nga ligjvënës jashtë qeverisë. Ai u miratua me 25 vota pro. Nuk është e qartë nëse do të sigurojë mbështetjen e shumicës në parlamentin me 120 vende të Izraelit, por gjithsesi ka mënyra që kryeministri ta shtyjë ose ta përmbysë atë.

Ministria e Jashtme Palestineze e dënoi lëvizjen e Knesset-it, duke thënë se Izraeli nuk do të ketë sovranitet në tokën e palestinezëve.

Izraeli ka ndërtuar 160 koloni ku janë strehuar rreth 700 mijë hebrenj gjatë pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor që prej vitit 1967. Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi të paligjshëm pushtimin izraelit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos