Arabia Saudite ka ekzekutuar 330 persona vetëm gjatë një viti

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2024, 12:41 | Bota

Arabia Saudite ka ekzekutuar 330 persona vetëm gjatë një viti

Arabia Saudite ka ekzekutuar 330 persona këtë vit, shifra më e lartë në dekada, sipas një raporti të përgatitur nga organizata për të drejtat e njeriut Reprieve dhe i verifikuar nga Reuters. Kjo rritje e ekzekutimeve bie ndesh me deklaratat e princit të kurorës Mohammed bin Salman  në 2022, i cili kishte thënë se dënimi me vdekje do të kufizohej vetëm për rastet e vrasjes.

Më shumë se 150 persona janë ekzekutuar për krime jo-vdekjeprurëse, përfshirë trafikimin e drogës dhe akuza për terrorizëm jo-vdekjeprurës, akuza që shpesh përdoren kundër protestuesve antiqeveritarë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut. Shumica e të ekzekutuarve janë shtetas të huaj nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

Kjo shifër rekord vjen në një kohë kur Bin Salman promovon Vision 2030, një plan ambicioz për të transformuar imazhin e vendit nga një shtet konservator në një qendër turizmi dhe argëtimi. Megjithatë, kritikët thonë se këto reforma maskojnë një përkeqësim të të drejtave të njeriut.

Autoritetet saudite nuk iu përgjigjën pyetjeve të detajuara nga Reuters mbi shifrat e ekzekutimeve. Princi ka thënë më parë se nuk mund të ndryshojë dënimin me vdekje për vrasje pasi është pjesë e ligjit islamik.

Arabia Saudite vazhdon të përballet me kritika ndërkombëtare për mungesë të drejtësisë, përfshirë përdorimin e torturës për të siguruar dëshmi dhe dënimin e të miturve me vdekje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos