Amerika dhe Irani janë shumë pranë vulosjes së marrëveshjes së paqes. Këtë e konfirmon vetë presidenti Donald Trump, që shton se bisedimet e drejtëpërdrejta mes palëve mund të rinisin që këtë fundjavë.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump u shpreh: “Do të thoja se lufta dhe Irani po ecin përpara me hapa të mbarë. Mund të bëjmë çfarë të duam. Dhe duhet të përfundojë shumë shpejt. Ishte gjithçka perfekte. Kjo falë fuqisë që kemi dhe ushtrisë. Kemi ushtrinë më të fuqishme në botë. E ndërtova për vite me radhë, katër vitet e mia të para.”
Trump theksoi se ishte i detyruar që të niste një luftë kundër Iranit, pasi pretendoi se shumë gjëra të këqija do të ndodhnin.
“Duhej të bënim diçka. Duhej të siguroheshim që Iranit të mos kishte kurrë një armë bërthamore. Dhe po e arrijmë këtë. Ata kanë rënë dakord për të. Madje janë pajtuar thuajse për gjithçka. Kështu që ndoshta kur të ulen të tryezë ata do kenë një stilolaps në dorë për të firmosur”, tha Trump.
Presidenti amerikan u shpreh i gatshëm që të udhëtojë për në Pakistan për të firmosur marrëveshjen e paqes me Iranin. Në të njëjtën kohë vlerësoi si historike dhe paktin mes Izraelit dhe Libanit për armëpushimin 10-ditor. Hyrja në fuqi e ndërprerjes së luftimeve është festuar me të shtëna me armë zjarri dhe fishekzjarre që ndriçuan natën e errët mbi Bejrut. Armëpushimi është caktuar që t’u japë kohë palëve të arrijnë një marrëveshje paqeje për siguri të qëndrueshme, siç njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kryeministri Benjamin Netanjahu, tha se periudha 10 ditore është një mundësi për të bërë një marrëveshje historike me Libanin. Pika më e rëndësishme është çarmatosja e Hezbollahut, grupimit militant që mbështetet nga Irani. Ndërkohë, nga sulmet e Izraelit në Liban, që prej 2 marsit, janë vrarë më shumë se 2100 persona dhe zhvendosur 1.2 milionë të tjerë. (A2 Televizion)