“Armëpushimi mes Amerikës dhe Iranit nuk ka përfunduar”. Këtë e konfirmoi sekretari i luftës i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, duke akuzuar ushtrinë e Teheranit se e kishte shkelur atë mbi 10 herë të paktën. Ai iu kthye betejës për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke hedhur poshtë pretendimet e Teheranit mbi fundosjen e “Projektit të Lirisë” për shoqërimin e anijeve të ngecura.
Pete Hegseth, Sekretar i Luftës i SHBA, shprehet: “Jo, armëpushimi nuk ka përfunduar. Në thelb, ky është një projekt i veçantë dhe i dallueshëm, dhe ne e prisnim që do të kishte disa luhatje në fillim, gjë që ndodhi. Ne thamë se do të mbroheshim dhe do të mbroheshim në mënyrë agresive, dhe pikërisht kështu kemi bërë. Irani e di këtë, dhe në fund, presidenti do të marrë një vendim nëse ndonjë gjë do të përshkallëzohej në një shkelje të armëpushimit, por sigurisht ne do ta nxisnim Iranin të tregohej i kujdesshëm në veprimet që ndërmerr, për ta mbajtur situatën nën këtë prag.”
Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, i quajti veprimet ushtarake iraniane “zjarr ngacmues të nivelit të ulët”. Më shumë se 100 avionë luftarakë amerikanë, avionë sulmues dhe avionë të tjerë me dhe pa pilot po operojnë rreth Ngushticës së Hormuzit 24 orë në ditë, tha Gjenerali, duke shtuar se “këto forca përfshijnë më shumë se 15 mijë trupa amerikane”. Këtë e konfirmoi dhe sekretari i luftës.
“Si një dhuratë e drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara për botën, ne kemi krijuar një kupolë të fuqishme të kuqe, të bardhë dhe blu mbi ngushticën. Shkatërruesit amerikanë janë në stacion të mbështetur nga qindra avionë luftarakë, helikopterë, dronë dhe avionë mbikëqyrës, duke siguruar mbikëqyrje 24/7 për anijet tregtare paqësore, përveç atyre të Iranit, sigurisht. Kjo është arsyeja pse bllokada jonë e hekurt mbetet në fuqi të plotë. Në fakt, gjashtë anije u përpoqën ta thyenin bllokadën nga portet iraniane ndërsa filloi Projekti i Lirisë, dhe të gjitha u kthyen mbrapsht”, thotë Hegseth.
Ndërkohë, dy shkatërrues të Marinës Amerikane kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe kanë hyrë në Gjirin Persik pasi kanë përballuar me sukses sulmet iraniane. Kështu raportojnë mediat. CNN duke cituar disa burime, shkruan se Izraeli po koordinon lëvizjet e tij me Shtetet e Bashkuara në përgatitje për një raund të ri të mundshëm sulmesh kundër Iranit.
Kjo vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u tha mediave se nëse vendos të kthehet në luftë me Iranin, do t'i duhen vetëm dy deri në tre javë për të arritur qëllimet e tij. Më herët, ministri i jashtëm në Teheran pretendoi se SHBA-të po zhyteshin në moçal me “Projektin e Lirisë” që sipas tij ishte më shumë një “Projekt i Ngecur”. Gjithashtu u raportua një grindje mes presidentit Iranian Masoud Pezeshkian me Gardën Revolucionare Islamike që sulmoi Emiratet e Bashkuara Arabe pa informuar qeverinë. (A2 Televizion)