Arrihet marrëveshja Izrael-Hamas, armëpushim dhe lirim i pengjeve, shpërthen festa në Gaza dhe Tel Aviv

Nga Rosalba Bejdo
9 Tetor 2025, 12:24 | Bota

Pengjet izraelite mund të lirohen që të dielën, sipas planit të Donald Trump për fundin e luftës në Gaza, dhe ushtria izraelite do të kompletojë pjesën e parë të një tërheqje të pjesshme nga enklava brenda 24 orëve pas firmosjes së marrëveshjes.

Kështu pretendon një burim i afërt me çështjen, pasi presidenti amerikan Donald Trump dha lajmin se Hamas dhe Izraeli ishin dakordësuar për fazën e parë të marrëveshjes. Ajo pritet të miratohet nga kabineti i sigurisë dhe qeveria izraelite në një mbledhje të parashikuar më vonë gjatë ditës.

Sipas planit, 250 të burgosur palestinezë dhe 1700 qytetarë të Gazës të burgosur qëkur Izraeli nisi luftën, do të lirohen në fazën e parë. Po ashtu 400 kamionë me ndihma do të hyjnë çdo ditë në Gaza me numrin që pritet të rritet gradualisht në fazat e mëvonshme.

Izraelitët dhe palestinezët shpërthyen në festë pasi Trump njoftoi se armëpushimi dhe ujdia për lirimin e pengjeve ishte arritur. Megjithatë sulmet izraelite në tre prej periferive të qytetit të Gazës kanë vijuar përgjatë natës dhe në orët e para të se enjtes. Kolona tymi u panë të ngriheshin në kufirin mes Izraelit dhe Gazës në orët e para të së enjtes por dëshmitarët thanëse nuk ka raportime për viktima.

Zhvillimi pozitiv, erdhi një ditë pas përvjetorit të dytë të luftës, dhe u arrit pas bisedimeve indirekte mes Hamasit dhe Izraelit në Egjipt. Por me gjithë entuziazmin për marrëveshjen lidhur me fazën e parë të planit me 20 pika të Trump, pjesa tjetër e tij do të jetë më e vështire për tu implementuar.

Pikat më të kontestuara nga Hamas janë çarmatosja dhe heqja dorë nga roli qeverisës në Gaza, ndërsa Izraeli ka kundërshtuar dorëzimin e Gazës tek Autoriteti Palestinez.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos