Policia e Tiranës ka ndaluar një 15-vjeçar i cili akuzohet se ka thyer bankomatin e një banke dhe ka tentuar të vjedhë para, gjatë protestës së të enjtes së kaluar.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të veprimeve të kundërligjshme, gjatë protestave të ditëve të fundit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Pronës ndaluan një 15-vjeçar. I mituri dyshohet se është njëri nga autorët e thyerjes së një bankomati në rrugën “Luigj Gurakuqi”, më datë 15.10.2026, me qëllim vjedhjen”, tha policia.
Autoritetet shtuan se po punohet për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)