Sa herë që drejtuesve të transportit urban u cenohet fitimi, nxitojnë të penalizojnë dyfish qytetarët. Fillimisht pezullojnë lëvizjen e linjave urbane dhe, së dyti, paralajmërojnë rritjen e çmimit të biletës, shkruan A2 CNN. Kështu ka ndodhur edhe mëngjesin e 26 nëntorit.
Pas një lajmërimi të beftë në orët e mbrëmjes së të mërkurës, linjat e transportit urban vendosën të pezullonin për tre orët e para të mëngjesit lëvizjen e qytetarëve.
Mëngjesi në Tiranë ishte në kaos të plotë. Të shumtë ishin qytetarët që nuk kishin dijeni për protestën disaorëshe të linjave urbane, ndërsa prisnin në stacione për të shkuar në punë apo për të dërguar fëmijët në shkolla.
Në një qytet ku trafiku shfaqet me pikat e para të shiut, shumë qytetarë u detyruan ta paguanin disa fish mungesën dhe protestën e transportit urban. Shërbimi taksi ishte në kulmin e punës.
Pak para se Parlamenti të niste shqyrtimin e paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2027, drejtuesit e transportit urban kërkuan uljen e TVSH-së në 6%, aq sa e kanë produktet bazë. Sipas tyre, rritja e TVSH-së në 21% do të sjellë rritjen e çmimit të biletës.

“Transporti publik duhet të përfshihet në shportën e paketës fiskale. Pra, kemi kërkuar që të shkojë në 6%, ashtu siç janë edhe produktet ushqimore. Për qytetarët është shumë e domosdoshme që transporti publik të mos ketë kosto të shtuara për ta. Pra, çmimi i biletës të mos ndryshojë”, thanë drejtues të shoqatës së transportit publik. “Të shikojmë se çfarë do të bëhet në Parlament sot dhe do të dalim me një vendim tjetër, për të cilin padyshim do t'ju lajmërojmë në kohë ju dhe qytetarët”.
Linjat urbane u rikthyen pas disa orësh mungesë. Ndonëse prej vitesh punojnë në kushte që asnjë vend i Bashkimit Europian nuk do t'i lejonte në qarkullim, as Bashkia e Tiranës dhe as politika në Parlament nuk patën asnjë reagim në lidhje me situatën e krijuar në kryeqytet. Qytetarët e Tiranës edhe këtë herë u lanë në rrugë. (A2 Televizion)