Asim Zeneli, një nga fshatrat më të njohur të bashkisë së Gjirokastrës, shumë pranë qytetit të gurtë dhe rrëzë malit të Çajupit, sot ngjan me një zonë të braktisur.
Infrastruktura rrugore dhe afërsia me qytetin nuk mjaftuan që kjo zonë të shpëtonte nga shpopullimi. Pamundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre ka bërë që qindra banorë të këtij fshati të largohen dhe të krijojnë familjet e tyre në emigracion.
Ndërsa ata pak të moshuar që kanë mbetur, përveç vetmisë, vuajnë më shumë faktin që nuk shohin dot nipërit dhe mbesat ose siç i quajnë mjaltin e mjaltit.
Dhe ashtu si në kohërat e luftërave kundër pushtuesve, heroi Asim Zeneli, emrin e të cilit ka marrë fshati, vijon të qëndrojë edhe sot përballë këtij shpopullimi, që nuk e arritën dot as pushtuesit. (A2 Televizion)