
Autoritetet shëndetësore në SHBA kanë deklaruar se po marrin “sa më shumë masa të jetë e mundur” për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të parandaluar çdo rrezik të përhapjes së hantavirusit, pas evakuimit të pasagjerëve nga një anije turistike e prekur.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), nuk ekziston garanci absolute në shëndetin publik, por fokusi kryesor mbetet mbrojtja e pacientëve dhe komunitetit. Zyrtarët theksojnë se situata po menaxhohet me kujdes të lartë dhe monitorim të vazhdueshëm, shkruan A2CNN.
Në total, 18 qytetarë amerikanë janë transportuar në SHBA dhe janë vendosur në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, e cila shërben si njësi kombëtare karantine. Pasagjerët po i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore të përditshme dhe disa prej tyre mund të qëndrojnë në izolim deri në 42 ditë, në varësi të rrezikut dhe gjendjes së tyre shëndetësore.
Autoritetet raportojnë se shumica e pasagjerëve janë në gjendje të mirë dhe pa simptoma, ndërsa disa raste të veçuara po trajtohen dhe monitorohen më nga afër.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se rreziku për publikun e gjerë mbetet shumë i ulët, duke shtuar se hantavirusi rrallë përhapet nga njeriu te njeriu dhe zakonisht transmetohet përmes kontaktit me brejtës të infektuar. (A2 Televizion)