Avionë amerikanë në bazën franceze, Macron-Meloni-Mitsotakis dakordohen për të dërguar mjete ushtarake në Qipro

Nga A2 CNN
5 Mars 2026, 16:22 | Bota

Avionë amerikanë në bazën franceze, Macron-Meloni-Mitsotakis

Avionë të Shteteve të Bashkuara janë autorizuar të përdorin bazën ajrore të Istres në juglindje të Francës. Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm francez, i cituar nga mediat vendase. Sipas autoriteteve ushtarake, bëhet fjalë për avionë mbështetës dhe jo për avionë luftarakë, të cilët nuk do të marrin pjesë në asnjë mënyrë në operacionet që SHBA po zhvillon kundër Iranit.

Shtabi i Përgjithshëm francez theksoi se, “duke pasur parasysh situatën aktuale, Franca ka kërkuar që këta avionë të mos përfshihen në operacionet amerikane kundër Iranit, por të përdoren vetëm për mbështetje dhe për mbrojtjen e partnerëve në rajon”.

Autoritetet sqaruan gjithashtu se nuk janë vënë në dispozicion bazat ushtarake franceze në Lindjen e Mesme, por vetëm baza e Istres në territorin francez. Sipas mediave, avionët janë pranuar në këtë bazë në kuadër të një procedure rutinë të NATO-s.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.

Sipas burimeve nga Pallati i Elizesë, në një frymë solidariteti europian, tre liderët ranë dakord të koordinojnë dërgimin e mjeteve ushtarake në Qipro dhe në Mesdheun Lindor, si dhe të bashkëpunojnë për të garantuar lirinë e lundrimit në Detin e Kuq.

Në bisedën mes Macron dhe Melonit u diskutua gjithashtu për pasojat e konfliktit me Iranin në nivel rajonal dhe global, veçanërisht për ndikimin që mund të ketë në sigurinë e transportit detar. Dy liderët ritheksuan angazhimin për të mbështetur vendet e Gjirit të goditura nga sulmet iraniane, për të garantuar sigurinë e Qipros dhe për të shmangur një përshkallëzim ushtarak në Liban.

Ata ranë dakord gjithashtu të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm për zhvillimet e mëtejshme të krizës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos