Luftë diplomatike SHBA-Spanjë, Madridi përgënjeshtron Shtëpinë e Bardhë: S’bashkëpunojmë për luftën

Nga Rosalba Bejdo
5 Mars 2026, 14:19 | Bota

Përplasja diplomatike mes SHBA dhe Spanjës për luftën në Iran u intensifikua orët e fundit, teksa qeveritë e të dyja vendeve shkëmbyen deklarata kontradiktore mbi përdorimin e mundshëm të bazave ushtarake spanjolle nga forcat amerikane.

Disa momente pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Levitt tha se Madridi kishte pranuar të ndihmonte SHBA, ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares nxitoi të përgënjeshtronte ndryshim të qëndrimit të qeverisë spanjolle.

“Kundërshtoj pretendimet e Shtëpisë së Bardhë. Pozicioni i qeverisë spanjolle në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme, bombardimin e Iranit dhe përdorimin e bazave tona nuk ka ndryshuar asnjë grimcë”, ishin fjalët e tij.

Mosmarrëveshjet shpërthyen të martën, kur Trump kërcënoi të ndërpriste të gjitha lidhjet tregtare me Spanjën, pasi Madridi e bëri të qartë se nuk do të lejonte SHBA të përdorte bazat e operuara bashkërisht në jug të Spanjës, për ndonjë sulm që nuk mbulohet nga karta e OKB.

Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se qeveria e tij nuk do të bëhej bashkëpunëtore në diçka që ishte e keqe për botën.

Por pas këtyre komenteve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë pohoi se Spanja e kishte dëgjuar fort dhe qartë mesazhin.

“Mesa kuptova gjatë orëve të fundit, ata kanë pranuar të bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane. Kështu ushtria jonë po koordinohet me homologët në Spanjë…”

I konsideruar si udhëheqësi i fundit progresist në një shtet të madh të Europës, ai e ka cilësuar luftën e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit si të pajustifikueshme dhe të rrezikshme.

Sanchez shprehu shqetësimin se sulmet ndaj Iranit mund të çojnë në një tjetër kaos të kushtueshëm ushtarak në Lindjen e Mesme, të ngjashëm me ndërhyrjet e kaluara amerikane në Irak dhe Afganistan.

Presidenti iranian Pezeshkian vlerësoi atë që e quajti sjellje të përgjegjshme të Spanjës, në kundërshtimin e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut nga koalicioni amerikano-sionist, siç u shpreh.

Qëndrimi i Spanjës bie ndesh me atë të pjesës tjetër të Europës, e cila po heziton të dënojë luftën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos