Një tjetër shtet përfshihet në rrezen e luftës në Iran. Dy dronë të Republikës Islamike goditën Azerbajxhanin, një prej të cilëve ra mbi godinën e terminalit të aeroportit ndërkombëtar të Nakhchivan, ndërsa një tjetër pranë një shkolle në një fshat të afërt.
Azerbajxhani paralajmëroi se po përgatiste kundërpërgjigje të paspecifikuara për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin territorial, pasi tha se dronët iranianë plagosën katër persona të enjten në mëngjes.
"Këto sulme nuk do të mbeten pa përgjigje", pohoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit në një deklaratë, teksa i kërkoi shpjegime Republikës Islamike të Iranit. Por forcat e armatosura të Iranit, mohuan të kishin shënjestruar Azerbajxhanin me dronë.
Të mërkurën ishte Turqia që raportoi rrëzimin e një rakete iraniane, nga avionët e NATO-s, por edhe në këtë rast, Teherani deklaroi se nuk kishte goditur Turqinë të cilën e konsideronte si vend mik. Ndërsa lufta vijon të zgjerohet në mënyrë të rrezikshme, Izraeli dhe Irani po shkëmbejnë valë të reja sulmesh ajrore, me shpërthime të raportuarta në Teheran e qytete të tjera, dhe sirenat e alarmit që ranë rreth Izraelit.
Teherani raporton mbi 1100 viktima dhe akuzon SHBA dhe Izraelin se në mënyrë të qëllimshme po godasin zona civile. Republika Islamik, paralajmëroi shtetet e BE-së se herët a vonë do të paguajnë çmimin, nëse qëndrojnë të heshtura përballë ofensivës ndaj Iranit. Po ashtu vendet e gjirit, mbeten në presion të shtuar.
Ministria e mbrojtjes në Emiratet e bashkuara arabe tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar 6 raketa balistike dhe 131 dronë, por se një prej raketave dhe 6 dronë kishin rënë në vend. Sipas ministrisë 3 shtetas të huaj janë vrarë dhe 94 të tjerë janë plagosur që prej fillimit të sulmeve. Bahreini dhe Katari raportuan po ashtu shpërthime të reja si pasojë e sulmeve iraniane. Teherani njoftoi se kishte goditur edhe pozicione kurde mes raportimeve se CIA po i armatos për një ofensivë tokësore në Iran. Siç u bë e ditur, ishin shënjestruar grupe separatiste që po përpiqeshin të hynin në vend nga kufijtë perëndimor.
Shtetet e Bashkuara ndërkohë paralajmëruan se do të zgjeronin operacionin duke goditur më në thellësi të territorit iranian. Senati dështoi të mërkurën të votonte një masë që do të kufizonte aftësitë e presidentit amerikan Donald Trump në vijimin e sulmeve kundër Iranit. (A2 Televizion)