Italia po planifikon të ndihmojë vendet e Gjirit me mbrojtje ajrore në kundërpërgjigje të sulmeve iraniane, raporton A2CNN. Këtë e tha kryeministrja Georgia Meloni, teksa theksoi shqetësimin e Romës për sigurinë e qytetarëve dhe trupave të vet në rajon dhe po ashtu për sigurinë energjetike.
“Ashtu si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, Italia synon të dërgojë mbështetje për vendet e Gjirit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore”, tha Meloni për stacionin radiofonik të RTL, të enjten.
Ajo argumentoi se lëvizja nuk kishte të bënte vetëm me lidhjet diplomatike, por edhe prezencën e italianëve në terren. Sipas Melonit, rreth 2 mijë trupa italiane janë të stacionuara në rajon.
Sa i përket mundësisë së përdorimit të bazave amerikane në tokën italiane, kryeministrja tha se vendi i saj dhe aleatët po respektonin kushtet e marrëveshjeve dypalëshe.
“Ajo është përcaktuar në marrëveshje, nuk mund të vihet në pikëpyetje, dhe kjo vlen për këdo”, ishin fjalët e Melonit.
Italia strehon baza ushtarake të përdorura nga SHBA, sipas marrëveshjeve që datojnë në vitin 1954-ën, të cilat janë përditësuar përgjatë viteve. Sipas këtyre ujdive, Meloni thotë se autorizime teknike janë në fuqi për logjistikë dhe të ashtuquajturat operacione jo kinetike, të cilat i përshkruan si aktivitete jo bombarduese.
Nëse do të kishte kërkesë për përdorim më të gjerë të këtyre bazave, Meloni tha se qeveria duhej të kishte autoritet për të vendosur nëse do të japë lejen ose jo, por se ky vendim do të përfshinte parlamentin.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes në Romë, Guido Crosetto, i tha parlamentit këtë të enjte se Italia, Spanja, Franca dhe Holanda do të dërgonin asete detare për të mbrojtur Qipron gjatë ditëve në vazhdim, pasi Irani sulmoi me dronë bazën britanike të Akrotirit. (A2 Televizion)