38 pasagjerë u vranë të mërkurën pasi avioni i fluturimit 8432 i Azerbajxhan Airlines u rrëzua teksa tentoi të bënte një ulje emergjente pranë qytetit Aktau në Kazakistan.
Burimet e qeverisë së Azerbajxhanit kanë konfirmuar ekskluzivisht për mediat e huaja të enjten se një raketë ruse tokë-ajër shkaktoi rrëzimin e avionit të ‘Azerbajxhan Airlines’ në Aktau të mërkurën.
Sipas burimeve, raketa u qëllua në Fluturimin 8432 gjatë aktivitetit ajror të dronëve mbi Grozny dhe copëzat goditën pasagjerët dhe ekuipazhin e kabinës ndërsa shpërtheu pranë avionit në mes të fluturimit.
Burime qeveritare kanë bërë me dije se avioni i dëmtuar nuk u lejua të ulej në asnjë aeroport rus pavarësisht kërkesave të pilotëve për një ulje emergjente dhe u urdhërua të fluturonte përtej Detit Kaspik drejt Aktau në Kazakistan.
Sipas të dhënave, sistemet e navigimit GPS të avionit u bllokuan përgjatë rrugës së fluturimit mbi det, shkruan A2 CNN.
Raketa u hodh nga një sistem i mbrojtjes ajrore Pantsir-S, raportoi gazeta ndërkombëtare me bazë në Baku, AnewZ, duke cituar burime të qeverisë së Azerbajxhanit.
Sipas burimeve ruse, në kohën kur fluturimi i Azerbajxhan Airlines po kalonte mbi territorin e Çeçenisë, forcat ruse të mbrojtjes ajrore po tentonin në mënyrë aktive të rrëzonin UAV-të e Ukrainës.
Kreu i Këshillit të Sigurimit të Republikës së Çeçenisë, Khamzat Kadyrov, konfirmoi se një sulm me dron në Grozny ndodhi të mërkurën në mëngjes, duke theksuar se nuk pati viktima apo dëme.
Nëse këto të dhëna paraprake konfirmohen, kjo do të ishte hera e dytë në një dekadë që forcat ruse shkatërrojnë një avion komercial pas rrëzimit të MH17 në Ukrainë. Kësaj radhe, mes viktimave janë edhe vetë qytetarët rusë, si dhe ata nga vendet fqinje.
Hetimi i mëtejshëm për rrëzimin e së mërkurës pritet të zbulojë rrethanat e shkrepjes së raketës, mosautorizimin për ulje në një aeroport aty pranë në Rusi dhe udhëzimin për të kaluar detin me një avion të dëmtuar. (A2 Televizion)