Nuk ka konsensus në Bashkimin Europian për zgjedhjen e Ursula von der Leyen për një mandat tjetër në krye të Komisionit Europian. Dështimi erdhi edhe pas garancive nga Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz ditët e fundit se ata ishin pranë një marrëveshjeje, thanë tre diplomatë të BE-së për revistën POLITICO.
“Nuk ka asnjë marrëveshje sot”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel para gazetarëve pas darkës së liderëve europian. Një diplomat evropian tha se ndërsa negociatorët ranë dakord për tre emra, udhëheqësit do të vazhdojnë diskutimet në një datë të mëvonshme, me sa duket në takimin e tyre të ardhshëm më 27-28 qershor.
Në prag të zgjedhjeve evropiane, u shfaq një konsensus i hershëm rreth kandidaturës së Von der Leyen për një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Evropian, António Costa të Portugalisë si president i Këshillit Evropian, Roberta Metsola të Maltës si shefe e Parlamentit Evropian dhe Kaja Kallas të Estonisë si shefe e politikës së jashtme. Por, akoma asgjë konkrete.
Kundër kandidaturave është shprehur kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Ai u u tregua shumë i ashpër: “Vullneti i popullit evropian është injoruar” sipas kryeministrit hungarez, i cili fton të gjithë për t'u bashkuar “kundër burokratëve”.
Sipas burimeve diplomatike, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni vuri në pah problemet e "metodës dhe meritës". Sipas saj, nuk do të ishte një procedurë korrekte prezantimi i një pakete të gatshme emrash, pa u bërë më parë një diskutim kolegjial dhe i përgjithshëm për idenë e unionit për vitet e ardhshme. Një linjë në të cilën gjeti mbështetjen e disa kolegëve. Roma kërkon një nënpresident dhe një komisioner me delegacione me peshë. PSE mbështet Antonio Kostën, ish-kryeministrin portugez, për të cilin Partia Popullore shfaq dyshime, duke kërkuar t'i besohet një mandat vetëm dyvjeçar e gjysmë.
Udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në Bruksel më 27-28 qershor, me shpresën për të gjetur marrëveshje për liderët e bllokut përpara votimit për presidentin e ardhshëm të Komisionit nga Parlamenti Evropian, i planifikuar për në mes të korrikut. (A2 Televizion)