
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha sot se Bashkimi Evropian synon të ofrojë 100 milionë euro ndihmë humanitare për Libanin, pasi zhvilloi një telefonatë me presidentin libanez Joseph Aoun, raporton A2CNN.
BE-ja tashmë ka dërguar 40 ton furnizime në Liban dhe planifikon edhe fluturime të tjera humanitare, tha ajo. Ajo shprehu solidaritetin e BE-së me vendin e Lindjes së Mesme dhe me popullin e tij, si dhe mirëpriti vendimin për të ndaluar të gjitha aktivitetet ushtarake të Hezbollah-ut. “Ne duhet të sigurojmë një Liban sovran dhe të qëndrueshëm për popullin e tij,” tha ajo në një postim në X.
Libani është një nga vendet më të prekura vitet e fundit nga lufta, me konfliktin pothuajse të pandërprerë për tre vite me Hezbollah-un, organizatën e konsideruar terroriste, e cila ka luftuar me ushtrinë izraelite me financimin e Iranit.
Hezbollah-u, përvecse faktor ushtarak, është pjesë edhe në parlamentin libanez, duke qenë dhe një nga forcat kryesore politike. Beiruti është një lloj “vije demarkacioni” e influencës ku Hezbollah-u kontrollon jugun dhe qeveria e njohur libaneze kontrollon pjesën veriore të vendit. (A2 Televizion)