
Shpërthen lufta e “harruar”… madje Rusia po kërkon tashmë që të fusë në konfliktin e Ukrainës edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kremlini ka akuzuar “specialistët britanikë” se kanë luajtur një rol në lëshimin e raketës Storm Shadow nga ushtria ukrainase dje në qytetin rus të Bryansk, sulmi i cili solli shtatë viktima dhe 40 të plagosur, sipas autoriteteve lokale.
Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha: “Është e qartë se lëshimi i këtyre raketave nuk do të ishte i mundur pa specialistët britanikë. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe natyrisht e marrim në konsideratë. “Operacioni special ushtarak” kryhet në mënyrë që regjimi i Kievit të mos mund të kryejë ato veprime barbare. Demilitarizimi i Kievit dhe privimi i tij nga mundësia për të kryer ato sulme barbare është një nga qëllimet e 'operacionit special ushtarak”.
Forcat ukrainase kanë goditur një nga “fabrikat më të rëndësishme ushtarake” të Rusisë, tha Presidenti Volodymyr Zelensky, duke iu referuar rastit në fjalë.
“Fabrika prodhonte elektronikë dhe pjesë për raketat ruse. Pikërisht raketat që godasin qytetet tona, fshatrat dhe civilët tanë”, shtoi ai.
Raketat britanike Storm Shadow u përdorën për të goditur uzinën Kremniy El në rajonin kufitar të Bryansk, konfirmoi ushtria ukrainase. Pavarësisht se sulmet kanë vazhduar nga të dyja palët, Shtetet e Bashkuara nuk janë kursyer në ndërmjetësimin për paqe, shkruan A2.
Madje raportohet se një raund tjetër bisedimesh që përfshinë negociatorët ukrainas, amerikanë dhe rusë mund të mbahet javën e ardhshme. Moska thotë se pas luftës në Lindjen e Mesme, Turqia mund të jetë një vend i mirë për takimin. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se ai tashmë sheh shenja të një “pike kthese” të mundshme në negociatat për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke vënë në dukje se palët janë “të lodhura”. (A2 Televizion)