BE paralajmëron Izraelin: Ndaloni zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Nga A2 CNN
22 Maj 2026, 19:44 | Bota

BE paralajmëron Izraelin: Ndaloni zgjerimin e vendbanimeve në Bregun

Italia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me disa shtete të tjera europiane, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku paralajmërojnë Izraelin për situatën në Bregun Perëndimor, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të zgjerimit të vendbanimeve dhe frenimin e dhunës së kolonëve.

Në dokumentin e përbashkët, vendet europiane theksojnë se dhuna e kolonëve ka arritur “nivele të papara” dhe se politikat e zgjerimit të vendbanimeve po dëmtojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.

Sipas deklaratës, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa projektet e reja ndërtimore në zonën E1 konsiderohen veçanërisht problematike, pasi do të ndanin territorin palestinez në dy pjesë.

Shtetet nënshkruese i kanë bërë thirrje qeverisë izraelite që të ndalë menjëherë zgjerimin e vendbanimeve, të sigurojë llogaridhënie për dhunën e kolonëve dhe të hetojë abuzimet e mundshme nga forcat e saj.

Po ashtu, në dokument theksohet nevoja që kompanitë të mos përfshihen në projekte ndërtimi në zonat e vendbanimeve, duke paralajmëruar pasoja ligjore dhe reputacionale për çdo pjesëmarrje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos