Raportimet e mediave izraelite se Serbia ka lidhur një kontratë me vlerë prej 1.64 miliard dollarësh me kompaninë ushtarake izraelite, Elbit Systems, për prokurimin e armëve dhe pajisjeve të sofistikuara ushtarake, autoritetet në Serbi as nuk i konfirmuan dhe as mohuan.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për ta konfirmuar ose mohuar këtë informacion.
Pyetjeve të REL-it nuk iu përgjigj as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili, muajve të fundit, ishte i vetmi që dilte me informacione për blerjet e reja dhe eksportet e armëve nga Serbia.
Ngjashëm nuk u përgjigj as kompania izraelite, Elbit Systems.
Bashkëpunimi ushtarak midis Serbisë dhe Izraelit u vu në qendër të vëmendjes pas akuzave të Kombeve të Bashkuara kundër Izraelit për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Gazë.
Edhe pse Vuçiq tha se Serbia e ka ndaluar eksportin e municioneve drejt të gjitha vendeve, përfshirë edhe Izraelin, pas sulmit izraelit ndaj Iranit në mes të qershorit, ende nuk dihet se çfarë dhe sa municion është dërguar nga ky vend atje.
Megjithatë, pezullimi i eksporteve nuk e pengon Serbinë që të importojë armë dhe pajisje ushtarake nga Izraeli.
Vlera e marrëveshjes së raportuar me Izraelin, 1.64 miliard dollarë, përbën 70% të buxhetit të Serbisë për mbrojtjen në vitin 2025.
Për ish-diplomatin serb, Nikolla Lluniq, tani konsulent për çështje gjeopolitike dhe sigurie, bashkëpunimi i Serbisë me kompaninë izraelite do të përmirësonte ndjeshëm sigurinë kombëtare. Por, Maja Bjellosh, hulumtuese e lartë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, thekson se ky bashkëpunim ngre pyetje etike, politike dhe të sigurisë mbi natyrën dhe drejtimin e bashkëpunimit ushtarak të Serbisë.
Çka blen Serbia nga Izraeli?
Mediat izraelite e përmendin Serbinë si një vend evropian që qëndron pas një kontrate të madhe mbrojtjeje me kompaninë izraelite, Elbit Systems, me vlerë prej 1.64 miliard dollarësh.
Sipas raporteve, kontrata është nënshkruar për pesë vjet dhe përfshin furnizimin me sisteme të avancuara luftarake - mes tyre: raketa artilerike precize me rreze të gjatë, dronë me teknologji të inteligjencës artificiale, sisteme për inteligjencë, mbikëqyrje, zbulim të objektivave dhe vëzhgim, sisteme komunikimi dhe sinjal inteligjence, si dhe pajisje elektro-optike dhe sisteme për vëzhgim natën.
Këto pajisje përmenden edhe në një njoftim të kompanisë izraelite, Elbit Systems, më 13 gusht, ku u tha se kontrata ishte bërë me një shtet evropian, por nuk u saktësua se cili ishte ai shtet.
Çfarë do të thoshte prokurimi nga Izraeli për Ushtrinë e Serbisë?
Sipas Lluniqit, bashkëpunimi strategjik me kompaninë Elbit Systems mund të përmirësojë ndjeshëm sigurinë kombëtare të Serbisë.
Ai shpjegon se kjo, kryesisht, realizohet përmes modernizimit të sistemeve të mbrojtjes, përdorimit operacional të elektronikës së sofistikuar dhe ngritjes së kapaciteteve të prodhimit në industrinë mbrojtëse vendase.
“Një bashkëpunim i tillë me një nga kompanitë më të rëndësishme në fushën e teknologjisë mbrojtëse në nivel global, mund ta pozicionojë vendin tonë si një nga vendet më të avancuara ushtarakisht në rajon”, thotë Lluniq.
Ai shton se kontrata flet edhe për një transferim të mundshëm të teknologjive dhe prodhim të mundshëm brenda Serbisë.
“Pavarësisht të gjitha përfitimeve në aspektin ushtarak dhe mbrojtës, bashkëpunimi me Izraelin duhet të shqyrtohet edhe nga këndvështrimi ekonomik, teknik, social dhe etik”, thotë ai.
Si do të interpretohej prokurimi në rajon?
Në një perspektivë rajonale, kjo blerje e armëve e vendos Serbinë në të njëjtin nivel - nëse jo më lart - me fuqinë ushtarake të Kroacisë fqinje, e cila përdor sistemin amerikan të raketave HIMARS, thotë Bjellosh për Radion Evropa e Lirë.
“Fqinjët si Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova mund ta interpretojnë këtë modernizim si një kërcënim. Në një kohë kur tensionet në veri të Kosovës janë të shpeshta, vendosja e sistemeve kaq të avancuara mund të duket provokuese, madje edhe të nxisë një eskalim, duke filluar potencialisht një garë rajonale në armatim”, thotë Bjelllosh.
Ajo kujton se në fund të vitit 2024, kompania Elbit Systems konfirmoi një kontratë prej 335 milionë dollarësh për furnizimin me sistem të raketave PULS (Precise & Universal Launching System) dhe dronë Hermes 900 të një blerësi të panjohur evropian, e që në fillim të janarit të këtij viti u konfirmua se ai blerës ishte Serbia.
Bjellosh thotë se Vuçiq e ka përgëzuar publikisht këtë blerje, duke theksuar avantazhin strategjik që ofron ajo në krahasim me sistemin amerikan HIMARS, të blerë nga Kroacia.
“Duke bashkëpunuar me Izraelin, presidenti i Serbisë po përpiqet të forcojë pozicionin e tij në frontin e brendshëm, i cili është tronditur rëndë nga protestat studentore dhe civile, ndërsa në skenën ndërkombëtare po përpiqet të përmirësojë imazhin personal, të forcojë pozicionin e tij, si dhe të thellojë marrëdhëniet me administratën amerikane”, vlerëson Bjellosh.
Ajo shton se vazhdimi i bashkëpunimit ushtarak, ekonomik dhe diplomatik me Izraelin, i cili po përballet me akuza për gjenocid kundër palestinezëve në Gazë, “ka pasoja të rënda për vetë Serbinë”.
“Një politikë e tillë hap rrugë për akuza për bashkëpunim në gjenocid dhe, në fund, mund të çojë edhe në ndjekje penale të udhëheqjes shtetërore nga gjykatat ndërkombëtare”, thekson Bjellosh.
Çfarë ka blerë Serbia deri më tani nga Elbit Systems?
Më herët, institucionet në Serbi kanë blerë armë dhe pajisje ushtarake nga kompania izraelite, Elbit Systems, dhe firmat e saj të lidhura, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë në prill të këtij viti.
Të dhënat tregojnë se kompania Romax-trade, e lidhur me blerjen e topit zanor në Serbi, ka marrë gjatë vitit 2024 dy leje për të importuar armë dhe pajisje ushtarake nga kompania izraelite Elbit Systems për Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, me vlerë mbi 700 mijë dollarë.
Të dhënat mbi eksportin dhe importin e armëve ushtarake në Serbi ruhen si të klasifikuara dhe nuk mund të shihen në bazën e të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave, sepse u nënshtrohen rregullave për konfidencialitetin e informacionit.
Çfarë tha Vuçiq për bashkëpunimin ushtarak me Izraelin?
Vetëm pak ditë para se Izraeli të sulmonte Iranin më 13 qershor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli për “lidhje të thella mbrojtëse” midis Serbisë dhe Izraelit.
Në një intervistë për gazetën izraelite Jerusalem Post, më 6 qershor, Vuçiq tha se Serbia është e vetmja në Evropë që bën biznes me Izraelin në fushën e municioneve ushtarake.
Ai vlerësoi se dërgesat e armëve janë intensifikuar që nga tetori i vitit 2023.
Në attë kohë, Izraeli u sulmua nga Hamasi - organizatë palestineze, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si terroriste.
Izraeli, më pas, nisi një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, e cila shkaktoi dhjetëra mijëra viktima midis civilëve palestinezë, shkatërrim qytetesh dhe krizë humanitare.
Kombet e Bashkuara e akuzuan Izraelin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte.
Në mes të qershorit, Vuçiq deklaroi se Ushtria e Serbisë është “më e fortë se kurrë” dhe se “ka fshehur shumë pajisje” që ka blerë.
Ai i tha Televizionit Prva më 20 qershor se ushtria do të tregojë se çfarë ka në paradën ushtarake që do të zhvillohet në shtator.
“Maksimumi pesë persona e dinë se çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është ta mbrojmë vendin tonë”, tha Vuçiq, pa specifikuar se nga kush do të duhej të mbrohej.
Si përshkruhet Elbit Systems në raportin e OKB-së për situatën në Gazë?
Në raportin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, të publikuar më 16 qershor me titullin “Nga ekonomia e okupimit tek ekonomia e gjenocidit”, kompania izraelite përmendet si një nga dy kompanitë “më të shquara” ushtarake, e cila është në mesin e 50 prodhuesve më të mëdhenj të armëve në botë.
“Për kompanitë izraelite, si Elbit Systems dhe Industria Ajrore Izraelite, gjenocidi aktual është një sipërmarrje fitimprurëse”, thuhet në raport.
Aty theksohet se kompania Elbit Systems “ka bashkëpunuar ngushtë në operacionet ushtarake izraelite, përfshirë me stafin kyç në Ministrinë e Mbrojtjes” dhe “është fituese e Çmimit izraelit për Mbrojtjen për vitin 2024”.
“Dronët, heksakopterët dhe kuadrokopterët janë gjithashtu mjete të përhapura vrasjeje në qiellin mbi Gazë. Dronët kryesisht janë zhvilluar dhe furnizuar nga Elbit Systems dhe Industria Ajrore Izraelite”, thuhet në raportin e OKB-së. REL (A2 Televizion)