Beteja për Detin e Kuq, Houthitë marrin bregdetin, Irani me një armë të re mbi botën

Nga Rosalba Bejdo
22 Shtator 2026, 19:00 | Bota

Bab el-Mandebi, i njohur si “Porta e Lotëve”, ndodhet mes Jemenit në Gadishullin Arabik dhe Xhibutit e Eritresë në brigjet afrikane. Në pikën e tij më të ngushtë, kanali detar është vetëm rreth 29 kilometra i gjerë dhe trafiku ndahet në dy korridore, një për anijet që hyjnë dhe një për ato që dalin, me ishullin Perim në mes. Në veri ndodhen ishujt Hanish, ndërsa në bregdetin jemenas shtrihen portet e Hodeidah dhe Mochës, dy zona që marrin rëndësi të veçantë në përpjekjen e Houthive për të konsoliduar kontrollin e këtij korridori.

Houthitë kontrollojnë Hodeidah prej vitesh dhe e kanë përdorur këtë zonë si bazë për fushatën e tyre kundër anijeve që kalojnë në Detin e Kuq. Tani grupi po shtyn kontrollin më në jug, drejt Mochës, qytetit portual historik që lidhet me origjinën e tregtisë globale të kafesë, dhe më tej drejt Dhubabit, i cili ndodhet drejtpërdrejt pranë Bab el-Mandebit. Pikërisht ky pozicion gjeografik e bën Dhubabin një prej pikave më të rëndësishme të gjithë avancimit të Houthive. Analisti i lartë për Jemenin në International Crisis Group, Ahmed Nagi, thotë se kontrolli i kësaj zone është veçanërisht i rëndësishëm për Houthitë sepse u mundëson të vazhdojnë më lehtë operacionet e tyre detare, ndërsa njëkohësisht krijon një mbrojtje më të fortë ndaj çdo përpjekjeje të mundshme për t’i goditur nga jugu. Sipas tij, prej kohësh ka pasur diskutime për mundësinë e një ofensive nga Arabia Saudite dhe qeveria jemenase dhe një prej drejtimeve të mundshme të saj do të ishte pikërisht zona e Mochës.

“Ky është fronti më i rëndësishëm që u ka mundësuar atyre të vazhdojnë sulmet e tyre në det, në Detin e Kuq. Në të njëjtën kohë, zgjerimi i kontrollit të tyre drejt pjesës jugore të bregdetit perëndimor është shumë i rëndësishëm për Houthitë. Mendoj se për dy arsye. E para është që t’u mundësojë të vazhdojnë operacionet e tyre ushtarake në det. Tani ata thonë se po vendosin një embargo detare ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite. Pra, duke mbajtur nën kontroll këto zona, ata mund t’i vazhdojnë operacionet e tyre shumë më lehtë. Arsyeja tjetër është se ka pasur shumë raportime se, në një moment, mund të ketë një ofensivë nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, nga sauditët dhe qeveria jemenase kundër Houthive. Dhe nëse kjo do të ndodhte, ofensiva mund të niste nga Mocha, pikërisht nga kjo zonë. Prandaj, duke kontrolluar ose marrë nën kontroll këtë territor, Houthitë tani janë, në njëfarë mënyre, plotësisht të mbrojtur. Nuk ka më asnjë port përgjatë bregdetit që mund të kërcënojë kontrollin e tyre mbi bregdetin perëndimor dhe Hodeidahn. Pra, Houthitë janë aktualisht në një pozicion shumë të favorshëm.”

Kjo do të thotë se kontrolli i bregdetit perëndimor nuk është thjesht një zgjerim territorial për Houthitë. Ai u siguron atyre një pozicion shumë më të favorshëm për të mbrojtur Hodeidahn, për të kontrolluar zonat bregdetare që shtrihen në jug dhe për të ushtruar presion mbi trafikun detar që kalon pranë brigjeve të Jemenit.

Dhe këtu nis dimensioni ndërkombëtar i kësaj beteje, sepse çdo zhvillim në këtë pjesë të Jemenit lidhet drejtpërdrejt me një prej arterieve kryesore të ekonomisë botërore.

Bab el-Mandebi është porta jugore e Kanalit të Suezit. Anijet që udhëtojnë nga Azia drejt Evropës dhe anasjelltas përdorin këtë korridor për të hyrë në Detin e Kuq dhe më pas në Kanalin e Suezit, duke shmangur një udhëtim shumë më të gjatë rreth kontinentit afrikan. Për këtë arsye, edhe një ndërprerje e pjesshme e trafikut në këtë ngushticë mund të ketë pasoja të menjëhershme për tregtinë ndërkombëtare. Drejtori ekzekutiv i Vespucci Maritime, Lars Jensen, e krahason rëndësinë e Bab el-Mandebit me vetë Kanalin e Suezit, pasi çdo mbyllje ose ndërprerje serioze e këtij korridori do të detyronte anijet që vijnë nga Azia drejt Evropës të ndryshonin rrugë dhe të lundronin rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut.

“Ngushtica e Bab el-Mandebit është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është rruga hyrëse për të mbërritur në Kanalin e Suezit. Sigurisht, Bab el-Mandebi nuk është Kanali i Suezit, por mbyllja e Bab el-Mandebit do të ishte po aq e rëndësishme sa mbyllja e Kanalit të Suezit.”

Një devijim i tillë mund t’i shtojë udhëtimit javë të tëra dhe të rrisë ndjeshëm kostot e karburantit, transportit dhe sigurimit. Pikërisht këtë e provoi industria detare pas sulmeve të Houthive që nisën në fund të vitit 2023, kur kompani të mëdha si Maersk, MSC dhe Hapag-Lloyd ndryshuan itineraret dhe shmangën Detin e Kuq, ndërsa edhe kompanitë e energjisë devijuan një pjesë të transportit të tyre.

Fushata e Houthive ndaj anijeve u justifikua prej tyre si një akt solidariteti me palestinezët gjatë luftës në Gaza, por pasojat u ndjenë në të gjithë zinxhirin global të furnizimit. Rritja e kostove të transportit dhe zgjatja e udhëtimeve ndikuan në tregtinë midis Azisë dhe Evropës dhe e kthyen Bab el-Mandebin në një nga pikat më të monitoruara të trafikut detar në botë.

Sipas të dhënave të Kpler, rreth 7 për qind e prodhimit global të naftës kalonte përmes Bab el-Mandebit në qershor, një shifër që tregon se sa e madhe mund të jetë pasoja e një ndërprerjeje të rëndësishme të kësaj rruge.

Por rëndësia e Bab el-Mandebit bëhet edhe më e madhe kur vendoset përballë Ngushticës së Hormuzit. Në lindje të Gadishullit Arabik ndodhet Hormuzi, rruga kryesore për eksportet e naftës nga Gjiri Persik, ndërsa në skajin tjetër ndodhet Bab el-Mandebi, porta që lidh Detin e Kuq me Oqeanin Indian dhe Kanalin e Suezit. Në këtë panoramë, roli i Iranit bëhet i pamundur të anashkalohet.

Këtu kemi edhe dimensionin kryesor të kësaj historie, sepse Irani është i përfshirë. Për iranianët, fakti që tani po mbyllin Ngushticën e Hormuzit, ndërkohë që aleatët e tyre kryesorë, Houthitë, kontrollojnë zonat pranë Bab el-Mandebit, krijon mundësinë që më vonë edhe kjo ngushticë të mbyllet. Dhe kjo përbën një levë të rëndësishme presioni për iranianët.”

Megjithatë, kontrolli i bregdetit nuk do të thotë se beteja ka përfunduar. Përkundrazi, zgjerimi i Houthive mund të sjellë një kundërofensivë nga Arabia Saudite dhe forcat e qeverisë jemenase, ndërsa frontet mund të aktivizohen edhe në pjesë të tjera të vendit.

“Në fakt, Houthitë kanë marrë nën kontroll bregdetin perëndimor, por kjo nuk do të thotë se beteja ka përfunduar. Luftimet vazhdojnë ende dhe është e mundur të shohim një kundërofensivë nga sauditët dhe qeveria jemenase. Kjo mundësi mbetet e hapur. Madje, sauditët mund të aktivizojnë më shumë fronte në pjesën lindore, ndoshta edhe në zonat jugore të Al-Dhale dhe Al-Bayda. Pra, gjithçka mbetet e mundur dhe po flasim për dinamika që po zhvillohen ende në mes të betejës.”

Në të njëjtën kohë, kompanitë e transportit po përpiqen të kuptojnë nëse situata është mjaftueshëm e qëndrueshme për t’u kthyer në itineraret normale. Disa prej tyre kanë filluar gradualisht të rikthejnë shërbimet përmes Detit të Kuq, por ky rikthim nuk do të thotë se rreziku është zhdukur. Problemi, sipas Jensen është se sa më shumë kompani të rikthehen tani në Detin e Kuq, aq më i madh do të ishte ndikimi nëse ato do të detyroheshin sërish, brenda pak muajsh, të ndryshonin itineraret dhe të kalonin rreth Afrikës.

“Ajo që po shohim tani është se kompanitë e transportit detar po rikthehen gradualisht në normalitet dhe po rivendosin gjithnjë e më shumë shërbime përmes Detit të Kuq. Pres që ky proces të vazhdojë. Kjo do të thotë se kompanitë duhet të jenë relativisht të bindura se Houthitë, të paktën për momentin, nuk kanë ndërmend të ndryshojnë kurs. Nëse dëgjoni deklaratat e tyre të ditëve të fundit, ata kanë qenë shumë të qartë se nuk do të sulmojnë anijet ndërkombëtare, me përjashtim të anijeve saudite. Kjo tingëllon mirë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se krijon një tjetër rrezik. Nëse të gjithë e normalizojnë tani kalimin përmes Detit të Kuq, për shembull gjatë pjesës së fundit të vitit 2026, çfarë do t’i pengojë Houthitë që në fillim të vitit 2027 ta përdorin sërish këtë avantazh si levë presioni? Nuk ka asnjë garanci që ata nuk do të ndryshojnë papritur qëndrim. Mund të shpresojmë që kjo të mos ndodhë, por rreziku mbetet. Dhe sa më shumë ta normalizojmë tani trafikun përmes Detit të Kuq, aq më të mëdha do të jenë problemet nëse papritur duhet t’i rikthehemi edhe një herë rrugës rreth Afrikës. Pra, rreziku nuk është zhdukur.”

Dhe kjo është arsyeja pse beteja për Bab el-Mandebin duhet parë përtej hartës së Jemenit. Kontrolli i disa qyteteve dhe brigjeve mund të duket si një zhvillim lokal, por në këtë rast territori lidhet drejtpërdrejt me një nga rrugët që mban në lëvizje tregtinë globale.

Në njërën anë është lufta për kontrollin e Jemenit dhe për mbijetesën politike e ushtarake të Houthive; në anën tjetër është përplasja më e gjerë mes Iranit, kundërshtarëve të tij rajonalë dhe Shteteve të Bashkuara.

Dhe në mes të kësaj përplasjeje ndodhet një ngushticë vetëm 29 kilometra e gjerë, përmes së cilës kalojnë çdo ditë anije që transportojnë energji dhe mallra mes dy kontinenteve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos