“Iranin e pret ferri dhe asgjësimi total”, Trump nga OKB: Marrëveshja ndoshta pas zgjedhjeve

Nga Rosalba Bejdo
22 Shtator 2026, 18:35 | Bota

“Kam një vendim të madh për të marrë, ta asgjësoj plotësisht Iranin apo ta ndihmoj të krijojë një shtet të madh nëse pranon një ujdi me Shtetet e Bashkuara.” Ishte kërcënimi i fortë që presidenti amerikan lëshoi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila nisi punimet këtë të martë në Nju Jork.

Teksa deklaroi se kishte shkatërruar kapacitetet ajrore, mbrojtëse e raketore të Republikës Islamike, Donald Trump sugjeroi se Irani mund të pranojë një marrëveshje pas zgjedhjeve të mesit të mandatit. “Por nëse s’do të ketë ujdi”, tha ai, “do ta çonte në ferr pa asnjë shans mbijetese këtë shtet”.

Në fjalimin e mbajtur para rreth 130 udhëheqësve botërorë, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti pretendimin se e kishte nisur luftën për të parandaluar që Irani të krijonte një armë bërthamore, që, siç tha, do të kishte qenë katastrofike edhe për Europën.

Në pjesën e parë të fjalimit, ai u ndal kryesisht te arritjet në shtëpi dhe mesazhi “Amerika e Para”, duke thënë se Shteti i tij nuk kishte qenë kurrë më i fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Ai falënderoi Kosovën dhe Shqipërinë që, siç tha, kishin kontribuar për paqen në Gaza, si pjesë e Bordit të Paqes. Nuk harroi edhe në këtë rast të përmendte konfliktet që, sipas tij, ka ndihmuar të zgjidhen, mes të cilave ai mes Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos