“Gati të rihapim Hormuzin!”, Irani: SHBA të heqë bllokadën, mundësi e artë në OKB

Nga Rosalba Bejdo
22 Shtator 2026, 18:44 | Bota

Irani mund të rinisë bisedimet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda pak ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara heqin bllokadën detare. Këtë e tha një zyrtar i lartë iranian për agjencinë e lajmeve Reuters, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të cilën e sheh si një mundësi të artë për të ringjallur diplomacinë me Uashingtonin.

Për herë të parë që kur Trump nisi operacionin “Furia Epike” kundër Iranit, presidenti amerikan dhe ai iranian, Masoud Pezeshkian, do të jenë në të njëjtin event, si pjesë e punimeve të Asamblesë së OKB-së.

Zyrtari iranian thotë se delegacioni i tyre ka autoritet të plotë për të rinisur bisedimet, edhe pse nuk është planifikuar ndonjë takim i drejtpërdrejtë mes dy presidentëve.

“SHBA-ja duhet të deklarojë se dëshiron ta zgjidhë çështjen përmes diplomacisë, ta bëjë këtë qëndrim zyrtar dhe më pas të bien dakord për një afat kohor se si do të vijojë procesi. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është një mundësi e artë që SHBA-ja t’i rikthehet diplomacisë.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha për emisionin “Today” të NBC-së se SHBA-ja ishte e hapur për të zhvilluar bisedime me iranianët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, veçanërisht nëse kjo do të krijonte mundësi për të sjellë diçka pozitive.

Trump takohet të martën me liderët e gjashtë shteteve arabe të Gjirit: Bahreinit, Kuvajtit, Katarit, Omanit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në tryezën e diskutimeve mes Trump dhe vendeve të Gjirit është një propozim i Katarit për një strukturë të përbashkët sigurie që do të përfshinte Iranin dhe shtetet arabe të Gjirit.

Takimi zhvillohet teksa Arabia Saudite po përfshihet gjithnjë e më shumë në luftë, ndërsa Houthit e mbështetur nga Irani po avancojnë në Jemen dhe kërcënojnë eksportet saudite të naftës.

Houthit kanë sulmuar Arabinë Saudite me raketa e dronë dhe synojnë marrjen e kontrollit të Ngushticës strategjike Bab el-Mandeb.

SHBA-ja deri tani ka refuzuar kërkesat saudite për t’u rikthyer në luftën kundër Houthëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos