Betohet Presidenti “i çmendur” i Argjentinës dhe premton “tërmet” për ekonominë

Nga Xhevahir Qardaku
11 Dhjetor 2023, 12:35 | Bota

Presidenti i ri i Argjentinës bëri betimin para mijëra mbështetësve. Menjëherë në adresimin e parë, Javier Milei paralajmëroi qytetarët se vendi nuk ka para dhe për këtë arsye do të aplikohet një program me shumë masa shtrënguese të ashpra. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për të kaluar krizën më të rëndë ekonomike në dekada të Argjentinës, ku inflacioni po shkon gati 200%.

“Nëse një shtet ka reputacion të keq, siç është rasti i Argjentinës, bizneset nuk do të investojnë derisa të shohin rregullime fiskale. Jo më pak i rëndësishëm është fakti se duhet të ketë qarkullim parash. Por, fatkeqësisht duhet t’ju them edhe njëherë se nuk kemi para. Prandaj, përfundimi është se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse të bëjmë reforma dhe që ato të jenë një tërmet. Natyrisht, kjo do të ketë ndikim negativ në punësim, paga dhe në numrin e të varfërve”, deklaroi Milei.

Populisti mori një fitore surprizë në zgjedhjet e nëntorit, me zotime radikale për të shëruar ekonominë e sëmurë të vendit në Amerikën e Jugut. Për shkak të pamjes së tij, ka fituar një sërë nofkash si “I çmenduri”, “Kukulla Çaki” dhe “Uolverine”. Milei, një opinionist televiziv, përjetoi një rritje të madhe në politikë përmes një platforme të ekstremit të djathtë, në të cilën përfshihen kufizime për të drejtën e abortit, ligje për liberalizimin e posedimit të armëve dhe mohim të ndryshimeve klimatike.

Shpeshherë është fotografuar me një motosharrë gjatë fushatës, ndërsa ka bërë deklarata të ngjashme me ato të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ish-liderit të Brazilit, Jair Bolsonaro.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos