Bie koalicioni qeveritar në Gjermani pasi kancelari Olaf Scholz shkarkoi një ministër kyç të kabinetit dhe tha se do të kërkonte një votëbesim për qeverinë e tij në fillim të vitit të ardhshëm.
Kancelari argumentoi se nuk kishte besim tek ministri i Financave, Christian Lindner, i cili drejton partinë pro biznesit, Demokratët e Lirë, dhe ka qenë pjesë e koalicionit bashkë me socialdemokratët e Scholz dhe të Gjelbrit që prej 2021-shit, shkruan A2 CNN.
Tensionet e brendshme po zienin prej javësh para se të shpërthenin mbrëmjen e së mërkurës. Ato u nxitën nga mosmarrëveshjet për buxhetin e vitit 2025, me Gjermaninë që përballet me vitin e dytë pa rritje ekonomike: “Shumë herë Ministri i Financave, Lindner, bllokoi ligjet në mënyrë të panevojshme. Shumë herë ka vepruar për t'i shërbyer klientelës dhe partisë së tij. Shumë herë ai e ka thyer besimin tim. Edhe marrëveshja për buxhetin u tërhoq nga ai pasi ne kishim rënë dakord përmes negociatave të gjata. Nuk ka asnjë bazë besimi për bashkëpunim të mëtejshëm. Në këtë mënyrë, puna serioze e qeverisë është e pamundur”.
Lindler, i cili kryeson demokratët e FDP, akuzoi Scholzin se po e zhyste Gjermaninë në pasiguri. Ai refuzoi të përmbushte kërkesat e kancelarit për të rritur limitin e shpenzimeve buxhetore, për të balancuar buxhetin. Kriza qeveritare e zhyt ekonominë më të madhe të Europës në kaos politik, disa orë pasi fitorja e Donald Trump në zgjedhjet amerikane shkaktoi pasiguri të mëdha për të ardhmen e ekonomisë dhe sigurisë së kontinentit.
Prishja e koalicionit nënkupton se qeveria Scholz nuk ka më shumicën në Parlament. Votëbesimi mund të çojë në zgjedhje të parakohshme në muajin mars, edhe pse opozita këmbëngul që votëbesimi të zhvillohet që javën tjetër, e jo vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)