Boshllëqet në bisedimet për armëpushim në Gaza që po zhvillohen në Katar midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas mund të mbushen, por mund të duhen më shumë se disa ditë për të arritur një marrëveshje, thanë zyrtarët izraelitë, citon Agjencia e Lajmeve Reuters.
Një shtytje e re nga ndërmjetësuesit amerikanë, katarë dhe egjiptianë për të ndaluar luftimet në enklavën e goditur ka fituar ritëm që nga e diela, kur palët ndërluftuese filluan bisedime indirekte në Doha dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u nis për në Uashington.
Netanyahu u takua të hënën me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili tha në prag të takimit të tyre se një armëpushim dhe një marrëveshje për pengjet mund të arriheshin këtë javë. Udhëheqësi izraelit ishte planifikuar të takohej me Zëvendëspresidentin J.D. Vance të martën.
I dërguari i Trump, Steve Witkoff, i cili luajti një rol të madh në hartimin e propozimit të armëpushimit, do të udhëtojë për në Doha këtë javë për t'u bashkuar me diskutimet atje, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt më herët të hënën.
Propozimi i armëpushimit parashikon një lirim gradual të pengjeve, tërheqje të trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe diskutime për t'i dhënë fund luftës tërësisht. Hamasi ka kërkuar prej kohësh që lufta të ndërpritet përpara se të lirojë pengjet e mbetura; Izraeli ka këmbëngulur se nuk do të bjerë dakord të ndërpresë luftimet derisa të lirohen të gjithë pengjet dhe Hamasi të shpërbëhet. Besohet se të paktën 20 nga 50 pengjet e mbetura në Gaza janë ende gjallë.
Sakaq, Palestinezët kanë kërkuar prej kohësh të krijojnë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor të pushtuar nga Izraeli, përmes një procesi paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të. Shumë palestinezë e akuzojnë Izraelin se ka minuar në mënyrë metodike perspektivat e tyre për shtetësi përmes rritjes së ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe duke rrafshuar pjesën më të madhe të Gazës gjatë luftës aktuale. Izraeli e hedh poshtë akuzën, duke thënë se po lufton vetëm për të eliminuar militantët palestinezë që sipas tij përbëjnë një kërcënim ekzistencial dhe se kjo ka rrënjë historike dhe biblike në Bregun Perëndimor. Zhvendosja është një nga çështjet më emocionale për palestinezët, të cilët kanë frikë nga një përsëritje e "Nakbës" (katastrofës) së vitit 1948, kur qindra mijëra njerëz u shpronësuan nga shtëpitë e tyre në luftën e lindjes së Izraelit. (A2 Televizion)